Mushica: Pranimi i Kosovës në UEFA ishte një datë historike, duhet të shfrytëzohen mundësitë që të rritet profesionalizmi

by admin
Spread the love

Si sot, 8  vjet më parë, Kosova u pranua në UEFA, organin qeverisës të futbollit evropian, përkundër kundërshtimit dhe lobimit të ashpër nga Serbia.

Në Kongresin e UEFA-s më 3 maj 2016, Kosova u bë anëtarja e 55-të e shtëpisë evropiane të futbollit, me 28 vota pro, 24 kundër. Dy vota ishin shpallur të pavlefshme, përcjell GazetaBlic Sport.

Pranimi në UEFA i hapi rrugë aplikimit për anëtarësim dhe përfundimisht edhe pranim po ashtu në FIFA, shtëpinë e futbollit botëror, i cili erdhi vetëm 10 ditë më vonë, më 13 maj 2016.

Ish portieri i Kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica tha se kjo datë ishte një datë historike, për të cilën kanë sakrifikuar gjenerata e gjenerata. Sipas tij, legjenda Fadil Vokrri ka meritat më të mëdha, por që duhet të jemi falënderues ndaj gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë drejtim.

“Sot festojmë përvjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA, një datë historike të cilën e kemi pritur gjatë, për të cilën kanë sakrifikuar gjenerata e gjenerata. Lajmi i pranimit ishte një gëzim i papërshkrueshëm. Sigurisht që duhet të jemi falënderues ndaj gjithësecilit për angazhimin dhe kontributin, por figura kryesore ka qenë legjenda Fadil Vokrri”, tha fillimisht ai për ‘GazetaBlic Sport’.

Kur flasim për këto 8 vite pas pranimit, sigurisht që ka progres si meritë e të drejtave dhe shumë benefiteve që kemi si anëtar i UEFA-s. Përfitime që gëzojnë sot klubet dhe më e rëndësishmja futbollistët që ju kanë krijuar kushte më të mira dhe gjithashtu ju kanë hapur dyert për të hedhur hapa të mëdhenj në karrierën e tyre. A u shfrytëzua maksimalisht? Sigurisht që ka vend për më shumë e shumë mundësi për të arritur një profesionalizëm më të pëkryer. Në fund, ju uroj përvjetorin, shpresoj që në vitet në vijim të shohim vetëm ngjarje të mira në futbollin vendor dhe suksese në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Mushica.

/GazetaBlic Sport/

You may also like