Shefi i grupit mercenar “Wagner”: I kemi arritur objektivat. Ka ardhur koha që Rusia të largohet nga Ukraina

by admin
Spread the love
Yevgeny Prigozhin, shefi i grupit paraushtarak rus, “Wagner”

Kreu i grupit Wagner kërkon që Rusia të largohet nga Ukraina. Përmes një postimi në rrjetin “Telegram”, Yevgeny Prigozhin tha se ka ardhur koha që qeveria dhe shoqëria t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Sipas tij, Rusia i ka arritur objektivat që synonte, ka zhdukur shumicën e meshkujve që mund të luftonin në Ukrainë dhe ka frikësuar pjesën tjetër.

Shefi i organizatës mercenare, Prigozhin nuk përmendi asnjë prej fitoreve të Ukrainës ndaj Rusisë. Ai tha se Rusia tani duhet të ruajë përgjithmonë territoret që janë nën kontrollin rus.

Në apelin e tij, Prigozhin flet gjithashtu për një “shtet të thellë” egoist rus (të cilin ai e përkufizon si “një komunitet elitash miqësore ndaj shtetit që veprojnë në mënyrë të pavarur nga lidershipi politik dhe kanë lidhje të ngushta dhe agjendën e tyre”), e cila aktualisht është në krizë për shkak të dështimit të Ushtrisë së Federatës për të siguruar një fitore të shpejtë.

Prigozhin akuzoi anëtarët e këtij shteti të thellë të ngulitur në burokracinë ruse për sabotim të qëllimshëm të suksesit të Rusisë në luftë, ndërsa ata kërkojnë të rifillojnë jetën e tyre të privilegjuar dhe të rehatshme.

Ai më pas tha se këta “armiq të brendshëm” të shtetit të thellë rus, do ta shtyjnë Kremlinin të “bëjë lëshime serioze”, të cilat përbëjnë “tradhti të interesave ruse”, duke përfshirë mundësinë e kthimit të territorit të okupuar ukrainas në Ukrainë.

Sipas institutit amerikan të studimit të Luftës, “Isw”, themeluesi i njësisë private po krijon kushtet për të shfrytëzuar një dështim të mundshëm ushtarak rus nëse kundërofensiva e pritshme e Ukrainës është e suksesshme.

You may also like