SHBA – Yellen paralajmëron kompanitë kineze të mos mbështesin luftën e Rusisë

by admin
Spread the love

PEKIN, 8 prill /ATSH-DPA/- Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, ka paralajmëruar kompanitë në Kinë që të mos eksportojnë produkte në Rusi, të cilat mund të përdoren për luftën e Moskës kundër Ukrainës.

“Kompanitë, përfshirë ato në Kinë, nuk duhet të ofrojnë mbështetje materiale për luftën e Rusisë, në të kundërt do të përballen me pasoja të rënda”, tha sot Yellen në Pekin në fund të udhëtimit të saj në Kinë.

Yellen tha se të gjitha bankat që transferojnë para në Rusi për të furnizuar industrinë ruse të mbrojtjes me mallra ushtarake ose të tjera rrezikojnë gjithashtu të behen subjekt i sanksioneve të SHBA-së.

SHBA-ja ka vendosur tashmë një sërë sanksionesh kundër kompanive kineze për arsye që lidhen me Rusinë.

Uashingtoni ka sanksionuar gjithashtu Kinën lidhur me shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut dhe për të ngadalësuar aftësinë e rivalit të saj për të prodhuar gjysmëpërçues shumë të avancuar që mund t’i japin Pekinit një epërsi teknologjike, veçanërisht në ushtrinë e tij.

Yellen mbërriti në Kinë të enjten. Gjatë takimeve të saj me zëvendëskryeministrin He Lifeng dhe kryeministrin Li Qiang, një nga temat kryesore ishte kapaciteti i tepërt industrial i Kinës.

Pekini akuzohet për përdorimin e subvencioneve industriale për të përmbytur tregjet globale me mallra artificialisht të lira, duke përfshirë produkte të energjisë së rinovueshme.

“Gjatë bisedimeve këtë javë ritheksova se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kërkojnë të shkëputen nga Kina. Dy ekonomitë tona janë thellësisht të integruara dhe një ndarje e tyre do të ishte katastrofike për të dyja”, tha ajo në një deklaratë. /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like