UASHIGNTON, 30 nëntor /ATSH-DPA/ – Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, ka vdekur në moshën 100-vjeçare.
”Gjermano-amerikani vdiq dje në shtëpinë e tij në shtetin e Konektikatit”, tha një zëdhënëse e agjencisë së komunikimit që përfaqëson firmën e tij konsulente ”Kissinger Associates”.
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, specialiteti i të cilit ishte diplomacia sekrete, ishte një figurë e gjallë në politikën amerikane.
Por, kritikët e Kisingerit e akuzuan atë si të paskrupullt dhe të fiksuar pas pushtetit.
Një nga sukseset e tij më të mëdha ishte afrimi midis SHBA-së dhe Kinës në fillim të viteve 1970.
Heinz Alfred Kissinger u lind në Franconi në vitin 1923.
Ai ishte 15 vjeç kur prindërit e tij hebrenj ikën me të në Nju Jork.
Pas shkollës dhe shërbimit ushtarak, Kissinger studioi në Harvard, ku më vonë dha mësim.
Në vitin 1969, presidenti i atëhershëm Richard Nixon e emëroi atë këshilltar sigurie dhe më vonë sekretar të shtetit.
Ai ishte politikani më me ndikim në Uashington kur ishte fjala për politikën e jashtme.
Një moment historik i rëndësishëm në karrierën e tij ishte përgatitja e udhëtimit të Niksonit në Kinë në vitin 1972.
Kissinger udhëtoi për në Pekin me një mision sekret, duke i hapur rrugën vizitës së Nixon dhe normalizimit të marrëdhënieve.
Kissinger u bë arkitekti i famshëm i afrimit SHBA-Kinë.
Ai negocioi traktatet e çarmatimit dhe marrëveshjet e paqes dhe u bë një yll mediatik.
Megjithatë, Kissinger gjithashtu la gjurmët e gishtave në aspekte më të diskutueshme të politikës së jashtme të SHBA.
Roli i tij në bombardimin e fshehtë të Kamboxhias dhe akuzat në lidhje me rolin e tij në grushtin e shtetit të vitit 1973 në Kili rëndojnë rëndë trashëgiminë e tij.
Ekzistojnë gjithashtu pyetje nëse Kissinger vërtet shtyu për t’i dhënë fund Luftës së Vietnamit apo nëse ai e zgjati atë për të rritur shanset e Niksonit për t’u rizgjedhur./ a.jor.