SHBA – Shtëpia e Bardhë: Nuk do të dërgojmë trupa në Ukrainë ​

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 27 shkurt /ATSH-AFP-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të dërgojnë ushtarë për të luftuar në Ukrainë, tha sot Shtëpia e Bardhë, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron ngriti spektrin e dërgimit të trupave tokësore një ditë më parë.

“Presidenti Biden ka qenë i qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson duke shtuar se presidenti beson se “rruga e fitores” do të kërkojë ndihmë ushtarake, të bllokuar aktualisht nga Kongresi.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz ka përjashtuar kategorikisht dislokimin e trupave tokësore të vendeve të NATO-s në Ukrainë në luftën kundër Rusisë.

Scholz kundërshtoi komentet e mëparshme të presidentit francez Emmanuel Macron, sipas të cilit ”asgjë nuk ishte jashtë tryezës për të siguruar që Kievi të fitonte luftën, duke përfshirë vendosjen e trupave franceze”.

Edhe kyeministrat e Polonisë dhe Republikës Çeke kanë shprehur skepticizëm për idenë e vendosjes së trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, një ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron tha se kjo nuk mund të përjashtohej.

”Polonia nuk po planifikon të dërgojë asnjë ushtarë”, tha sot kryeministri polak, Donald Tusk pas një takimi me homologun e tij çek, Petr Fiala në Pragë.

Tusk tha se fokusi duhet të ishte në ofrimin e mbështetjes maksimale të Ukrainës në përpjekjet e saj ushtarake kundër pushtimit rus.

Ai nuk komentoi nëse kjo pikëpamje mund të ndryshonte në të ardhmen në rrethana të ndryshme.

Fiala iu referua një nisme çeke që synon të sigurojë municione artilerie nga vendet e treta dhe t’i dorëzojë ato në Kiev në bashkëpunim me shtetet e tjera evropiane si Holanda./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like