SHBA – Scholz: Intervista e Carlson me Putinin tregoi ‘histori absurde’

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka kritikuar ashpër intervistën e presidentit rus, Vladimir Putin me drejtuesin e emisionit të krahut të djathtë në SHBA.

“Një intervistë, që sinqerisht vetëm tallet me veprimet reale që ka bërë Rusia në Ukrainë dhe tregon një histori krejtësisht absurde për shkakun e kësaj lufte”, tha sot Scholz gjatë një vizite në Uashington.

“Por ekziston një shkak shumë i qartë, që është dëshira e liderit të Kremlinit për të aneksuar një pjesë të Ukrainës”, theksoi ai.

“Dhe të gjitha historitë që tregohen për të nuk e ndryshojnë faktin se pikërisht ky është qëllimi i përpjekjeve të tij imperialiste”, tha kancelari gjerman.

Putin u intervistua nga një gazetar amerikan për herë të parë që kur filloi luftën e plotë kundër Ukrainës pothuajse dy vjet më parë.

Intervista 127-minutëshe me drejtuesin e emisionit të krahut të djathtë, Tucker Carlson u regjistrua të martën dhe u transmetua dje në mbrëmje.

Carlson, një personalitet televiziv i njohur për përhapjen e raporteve të rreme dhe teorive konspirative në ish-punëdhënësin e tij “Fox News”, nuk i vuri në dyshim komentet e gjata të Putinit.

Tucker Carlson foli drejtpërdrejt me presidentin rus për gazetarin amerikan Evan Gershkovich, i cili ishte në paraburgim në Rusi, dhe pyeti nëse kishte mundësi për lirimin e tij.

Putin tha se ishte i gatshëm të bisedonte dhe la të nënkuptohej për mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve.

“Nuk ka kuptim ta mbajmë atë në burg në Rusi. Përkundrazi, SHBA-ja duhet të mendojë se si mund të kontribuojë në një zgjidhje”, tha Putin.//a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like