SHBA sanksione shtesë ndaj Rusisë, masat po shqyrtohen pas vdekjes së Alexei Navalny 

by admin
Spread the love

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të tjera shtesë kundër Rusisë, pas vdekjes së mistershme të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny që mbahej në një burg të largët të Artikut.

“Ne tashmë kemi sanksione, por po shqyrtojmë sanksione shtesë”, tha presidenti amerikan Joe Biden për gazetarët në Uashington ndërsa fajësoi edhe njëherë për ngjarjen kreun e Kremlinit, Vladimir Putin. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell.

Por akuzat u hodhën poshtë nga Moska që i cilësoi të pabaza. Ndërkohë Yulia Navalnaya deklaroi se do të vazhdojë luftën e bashkëshortit të saj të ndjerë për një Rusi të lirë. Ajo kërkoi të ngrejë peshë rusët duke i bërë thirrje mbështetësve që ta sfidojnë Vladimir Putin me një fuqi më të madhe se kurrë.

“Përshëndetje, është hera ime e parë që flas në këtë kanal sot. Desha t`ju drejtohem juve, edhe pse në fakt nuk duhet të isha unë në këtë vend. Nuk duhet ta regjistroja unë këtë video. Duhet të ishte një person tjetër këtu në vendin. Por ai person u vra nga Vladimir Putin. Tre ditë më parë, Putini vrau bashkëshortin tim, Aleksei Navalny. Vrau babanë e fëmijëve të mi, largoi prej meje gjënë më të shtrenjtë që kisha, njeriun më të afërt dhe për të dashur për mua. Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë për Aleksein dhe për veten tonë tani është të vazhdojmë të luftojmë edhe më egërsisht se më parë. E di që duket sikur asgjë nuk është më e mundur tashmë. Por ne duhet të mblidhemi bashkë ne një grusht të fuqishëm dhe ta përdorim atë për të rrëzuar këtë regjim të cmendur: Putinin, miqtë e tij, banditët në uniformë, hajdutët e vrasësit që kanë gjymtuar vendin tonë”, tha Yulia Navalnaya-e veja e Aleksei Navalnyt.

Kremlini e mohon përfshirjen në vdekjen e kryeopozitarit, por nga ana tjeter, pavarësisht insistimit të tyre, trupi ende nuk i është dorëzuar familjarëve. Navalnaya i ka akuzuar autoritetet ruse se po e fshehin trupin sepse janë duke pritur sipas saj, që prej tij të zhduken gjurmët e agjentit nervor Novichok.


Top Channel

You may also like