SHBA/ Përplasjet brenda republikanëve rrezikojnë mbylljen e qeverisë

by admin
Spread the love

Përplasjet e brendshme mes republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve për shpenzimet kanë bërë që në Shtetet e Bashkuara të rrezikohet mbyllja e qeverisë brenda 10 ditësh, duke krijuar pasiguri mes qindra mijëra punonjësve federalë dhe punonjësve me kontraktë, që do të prekeshin në rast të një situate të tillë.

Nëse Kongresi nuk është në gjendje të miratojë 12 projektligjet për ndarjen e fondeve që financojnë qeverinë, ose nuk bie dakord për një masë që siguron fonde të përkohshme, autoriteti i shumë agjencive federale për të shpenzuar para, do të përfundojë në mesnatën e 30 shtatorit.

Në thelb të mosmarrëveshjeve është vendimi i disa prej anëtarëve të vijës se ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve për të hedhur poshtë një marrëveshje që Kryetari i kësaj dhome, Kevin McCarthy negocioi në fillim të këtij viti me Presidentin Joe Biden, për të shmangur falimentimin për shkak të mospagimit të borxhit të vendit. Një numër i vogël republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve duan të ulin shpenzimet nën shumën e rënë dakord në atë marrëveshje.

Ata po kërkojnë shkurtime të konsiderueshme të shpenzimeve të brendshme, si dhe në ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës për luftën kundër agresionit rus. Për shkak se Partia Republikane kontrollon Dhomës e Përfaqësuesve me një diferencë të ngushtë, me vetëm pak vota, do të mjaftonte mungesa e mbështetjes nga vetëm pak anëtarë, që zoti McCarthy të dështonte të siguronte shumicën e nevojshme, për të miratuar projektligjin mbi buxhetin.

Një mundësi do të ishte që zoti McCarthy të propozonte dhe miratonte projektligjet e ndarjes buxhetore me mbështetjen e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, por anëtarë të vijës së ashpër në grupimin e tij politik mund ta shihnin një veprim të tillë si tradhti, çka mund t’i nxiste ata të thërrisnin një seancë votimi, për ta larguar nga detyra e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Teksa hynte në Kapitol të mërkurën, zoti McCarthy u la gazetarëve të kuptonin se nuk i kishte humbur shpresat për arritjen e një marrëveshjeje për të shmangur mbylljen e qeverisë.

“Nuk është data 30 shtator, loja ende nuk ka mbaruar”, tha ai.

Çfarë do të thotë një mbyllje e qeverisë?

Termi “mbyllje e qeverisë” krijon një ide të gabuar, sepse në rast të mungesës së financimit, një pjesë e mirë e qeverisë federale, do të vazhdojë të funksionojë.

Shërbimet që konsiderohen thelbësore për sigurinë publike dhe mbrojtjen kombëtare nuk do të ndërpriten. Për më tepër, aktivitetet e qeverisë të financuara nga fondet shumëvjeçare do të mund të vazhdojnë. Kjo përfshin, për shembull, shumë nga projektet infrastrukturore të financuara nga ai që njihet si Akti për Reduktimin e Inflacionit.

Megjithatë edhe pse pjesa më e madhe e qeverisë do të vazhdonte të funksiononte, punonjësit federalë nuk do të paguheshin. Kjo përfshin pjesëtarët e ushtrisë.

Anëtarët e Kongresit do të qëndronin në punë, ashtu si edhe personeli i tyre mbështetës, por shumë punonjës që konsiderohen si jothelbësorë të Kongresit, do të pezulloheshin nga puna, së bashku me shumë punonjës që punojnë me kontratë e që ndihmojnë në funksionimin e Kapitolit.

Sistemi i gjykatave federale do të vazhdojë të funksionojë për një farë kohë, sepse do të mbështetej tek fondet e siguruara më parë dhe tek të ardhurat e vazhdueshme nga tarifat.

Mundësia e mosarritjes së një zgjidhjeje

Mbylljet e qeverisë kanë ndodhur disa herë në të kaluarën, që nga vitet 1980, por shumica kanë qenë të shkurtra. Katër prej mbylljeve të qeverisë kanë zgjatur mbi një ditë pune, më e fundit ajo në vitin 2018-19 kur qeveria u mbyll pjesërisht për 35 ditë. Ajo ishte një mbyllje e pjesshme pasi ishin miratuar paraprakisht projektbuxhete për disa struktura të qeverisë.

Gjithashtu, Kongresi i është afruar shpesh pragut të mbylljes dhe ka arritur ta shmangë nëpërmjet një mase financimi të përkohshëm apo një marrëveshjeje të minutës së fundit për shpenzimet.

“Pasoja gjithnjë e më të mëdha”

Max Stier, drejtues i Partneritetit për Shërbimin Publik, i tha Zërit të Amerikës se edhe mbylljet e shkurtra ndikojnë tek funksionimi i qeverisë federale. Publiku fillon të ndjejë pasojat si p.sh. tek mospërpunimi i dokumentacionit për marrjen e pasaportave, apo deri tek pamundësia për të regjistruar fëmijët në programet që financohen nga qeveria federale.

Stresi ndaj punonjësve federalë

Punonjësit federalë që do të ndikoheshin drejtpërsëdrejti nga mbyllja e qeverisë ndjehen të zhgënjyer me Kongresin, thotë Everett Kelley, drejtues i Federatës Amerikane të Punonjësve të Qeverisë. Ai i tha Zërit të Amerikës se pjesa më e madhe përballojnë shpenzimet e tyre me rrogat dhe do të ndjejnë pasojat nëse liheshin papritur pa paguar.

“Anëtarët tanë janë të zhgënjyer. Janë nervozë. Janë duke pyetur veten ‘si do të paguaj faturat? Si do të sigurohem që do të ushqehet familja ime?’,” thotë zoti Kelley.

“Punonjësit federalë shkojnë çdo ditë në punë dhe bëjnë punën e tyre. Kemi nevojë që Kongresi të bëjë punën e tij”, tha zoti Kelley. “Për shkak se një mbyllje e qeverisë do të ndikojë jo vetëm punonjësit federalë, por edhe komunitetet tona. I kërkojmë Kongresit ta përfundojë këtë punë”.

Të martën, Kongresi shqyrtoi shkurtimisht një masë të përkohshme financimi, por më pas propozimi u tërhoq për shkak të shqetësimeve se mungonte mbështetja për të marrë vota të mjaftueshme. Në propozim nuk përfshihej financimi shtesë për Ukrainën që ka kërkuar administrata e Presidentit Biden.

Megjithëse shumica e ligjvënësve mbështesin vazhdimësinë e ndihmës amerikane për Ukrainën, një numër i vogël ligjvënësish, kryesisht republikanë, ngurrojnë t’i dërgojnë Kievit fonde të mëtejshme, duke e shndërruar këtë financim shtesë në një faktor që komplikon më tej diskutimin e projekt-buxhetit.

Disa ligjvënës republikanë që mbështesin vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, i thanë të mërkurën Zërit të Amerikës se do të jetë e nevojshme që financimi për Ukrainën të shqyrtohet si një çështje e ndarë, dhe jo si pjesë e debatit për buxhetin e qeverisë./ VOA


Top Channel

You may also like