SHBA-ja sulmon dy objekte të përdorura nga forcat iraniane në Siri

by admin
Spread the love

Ushtria e Shteteve të Bashkuara i ka sulmuar dy ndërtesa në lindje të Sirisë, të cilat përdoren nga forcat e armatosura të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit dhe grupet e lidhura me të, tha sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin.

“Sulmet e sakta vetëmbrojtëse janë përgjigje ndaj një sërë sulmesh të vazhdueshme, dhe kryesisht të pasuksesshme, kundër personelit të SHBA-së në Irak dhe Siri nga grupet e mbështetura nga Irani, të cilat nisën më 17 tetor”, tha Austin.

Austin tha se një kontraktues shtetas amerikan vdiq nga arresti kardiak gjatë sulmeve, ndërsa 21 pjesëtarë të personelit amerikan pësuan “lëndime të vogla, por të gjithë prej tyre janë kthyer në punë tashmë”.

Sulmet në Siri erdhën pas një paralajmërimi të drejtpërdrejtë të enjten herët nga presidenti amerikan, Joe Biden, për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, kundër sulmeve ndaj trupave amerikane, tha Shtëpia e Bardhë të enjten.

“U dha një mesazh i drejtpërdrejtë. Kaq mund të them”, tha zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Kirby, duke mos treguar se si u dha mesazhi.

Në deklaratën e tij, Austini u përpoq të mos i ndërlidhte sulmet kundër ndërtesave të përdorura nga forcat iraniane në Siri nga lufta e tanishme mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

“Këto sulme vetëmbrojtëse kishin për qëllim vetëm mbrojtjen e personelit amerikan në Irak dhe Siri”, tha ai.

Ai shtoi se sulmet “nuk kanë të bëjnë dhe dallojnë nga konflikti i tanishëm mes Izraelit dhe Hamasit, dhe nuk përbëjnë ndryshim në qëndrimin tonë ndaj konfliktit Izrael-Hamas”. /REL


Top Channel

You may also like