SHBA – FMN: Të habitur nga rritja e ekonomisë ruse

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 22 shkurt /ATSH-DPA/- Rritja e ekonomisë ruse ka befasuar Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) duke pasur parasysh sanksionet kundër Moskës në vazhdën e luftës në Ukrainë.

“Kjo është një ekonomi lufte”, tha sot drejtoresha e Departamentit të Komunikimit (COM) në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Julie Kozack në Uashington.

“Ekonomia ruse ka një përqindje të lartë të shpenzimeve ushtarake, të cilat po “ushqejnë” prodhimin. Ka gjithashtu shumë transferta sociale që po ndihmojnë në rritjen e konsumit”, tha ajo.

Megjithatë, aktualisht ka edhe shenja se ekonomia është “mbinxehur” siç është rritja e inflacionit.

“Rritja ekonomike e Rusisë pritet të ngadalësohet në afat të mesëm”, tha Kozack.

Ajo përmendi faktin se vendi është i shkëputur nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe ka vetëm akses të kufizuar në teknologji.

“Gjithashtu, përsa i përket kapitalit njerëzor, Rusia ka humbur një pjesë të fuqisë punëtore të kualifikuar”, shtoi Kozack.

Të gjithë këta faktorë kanë një ndikim të rëndësishëm në rritjen dhe perspektivat afatmesme.

Në janar, FMN-ja parashikoi një rritje prej 2,6% të ekonomisë ruse në 2024 (1,5 pikë përqindjeje më e lartë se sa pritej në vjeshtë).

Sipas FMN-së, arsyeja e rritjes janë shpenzimet e larta ushtarake dhe konsumi privat i mbështetur nga rritja e pagave.

FMN-ja parashikon një rritje prej 1,1% për vitin e ardhshëm.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like