SHBA – FBI sekuestron pajisjet elektronike të kryebashkiakut të Nju Jorkut

by admin
Spread the love

NJU JORK, 11 nëntor /ATSH/ – Agjentët e FBI-së sekuestruan pajisje elektronike personale të kryetarit të bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, në fillim të kësaj jave, disa ditë pas kontrolleve në shtëpinë e kryebashkiakut, me dyshimin për mbledhjen e dyshuar të fondeve, sipas një avokati, njofton Reuters.

Autoritetet federale po kryejnë një hetim për dyshimin nëse fushata e tij për kryetar bashkie në vitin 2021 u bë sipas një komploti me një kompani ndërtimi në Bruklin dhe qeverinë turke për të futur para të huaja në fushatë përmes një skeme të rreme donatorësh, sipas ”New York Times”.

Boyd Johnson, një avokat për fushatën e Adams, konfirmoi se Adams i kishte ofruar FBI-së pajisje elektronike pasi agjentët iu afruan kryebashkiakut pas një ngjarjeje, të hënën në mbrëmje.

Johnson tha se FBI i kërkoi pajisjet pasi Adams informoi hetuesit për parregullsi nga një individ i paidentifikuar.

“Pasi u mësua për hetimin federal, u zbulua se një individ kishte vepruar së fundmi në mënyrë të pahijshme. Në frymën e transparencës dhe bashkëpunimit, kjo sjellje u raportua menjëherë dhe në mënyrë proaktive te hetuesit”, tha Johnson në një deklaratë.

”Kryetari i bashkisë nuk është akuzuar për asnjë shkelje dhe vazhdon të bashkëpunojë me hetimin”, thuhet në deklaratë.

FBI nuk pranoi të komentojë.

”Pajisjet e sekuestruara nga kryebashkiaku – të paktën dy telefona celularë dhe një iPad – u kthyen brenda pak ditësh”, tha NYT.

Johnson nuk dha detaje në lidhje me llojin ose sasinë e pajisjeve të sekuestruara.

”Agjentët e FBI-së kishin kontrolluar shtëpinë e kryetares së mbledhjes së fondeve të fushatës zgjedhore të Adams, Brianna Suggs, më 2 nëntor dhe ajo u mor në pyetje nga hetuesit e korrupsionit publik”, thanë zyrtarët e qytetit dhe mediat lokale.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë hetuar disa bashkëpunëtorë të tjerë të Adams muajt e fundit.

Në korrik, prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, njoftoi aktakuzën e gjashtë personave që ai tha se kishin përdorur një skemë donatorësh për të gjeneruar në mënyrë të paligjshme fonde publike për fushatën zgjedhore të Adams 2021.

Të gjashtë burrat janë deklaruar të pafajshëm.

Adams, i cili nuk u akuzua për ndonjë keqbërje në aktakuza, ka thënë se ai dhe ekipi i tij i fushatës nuk kishin njohuri ose përfshirje në skemën e supozuar.

Fushata zgjedhore e Adams 2025 i ka paguar firmës konsulente ”Suggs Solutions”, rreth 98 000 dollarë deri më tani, tregojnë të dhënat publike.

”Ndërsa grumbullonte donacione për fushatën zgjedhore të Adams, Suggs ishte paguar gjithashtu për të lobuar administratën e tij në emër të një pronari në Manhattan që kërkonte një zgjatje të dhënies me qira të një kompleksi tregtar në një ndërtesë në pronësi të qytetit”, raportoi ”New York Daily News”.

Adams, një demokrat, kishte udhëtuar në Uashington më 2 nëntor për takime me zyrtarë të qeverisë amerikane rreth krizës së strehimit të qytetit për azilkërkuesit dhe emigrantët e tjerë të ardhur së fundmi, por papritmas i anuloi ato takime për t’u kthyer në Nju Jork./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like