SHBA – DASH: Të zhgënjyer me thirrjet që serbët e Kosovës të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 8 prill /ATSH/ – Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera me thirrjet publike që serbët e Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

“Ne nxisim të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

Në reagimin e saj më 5 prill, Lista Serbe tha se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës…”.

Ajo po i referohej një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarin për pagesa me para të gatshme, pasi e caktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Më 2011 ishte zhvilluar procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë. Ky proces, megjithatë, nuk ishte zhvilluar në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Sipas regjistrimit të vitit 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1,8 milionë, prej të cilëve rreth 25 000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100 000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ndërkohë vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20 000 euro, për biznese./ (REL) /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like