SHBA – Biden përshëndet marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit në Gaza

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 22 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA Joe Biden ka mirëpritur marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit midis grupit militant palestinez Hamas dhe Izraelit për lirimin e disa pengjeve që aktualisht mbahen në Rripin e Gazës.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që disa nga këta shpirtra të guximshëm, të cilët kanë duruar javë të tëra robërie dhe një sprovë të papërshkrueshme, do të ribashkohen me familjet e tyre sapo kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht”, tha Biden në një deklaratë.

Qeveria izraelite ra dakord sot në mëngjes për një marrëveshje katërditore armëpushimi, që përfshin shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit palestinezë.

Biden falënderoi Katarin dhe Egjiptin për “lidershipin dhe partneritetin e tyre të rëndësishëm” në negocimin e marrëveshjes.

“Dhe unë vlerësoj angazhimin që kryeministri Netanyahu dhe qeveria e tij kanë bërë në mbështetjen e një pauze të zgjatur për të siguruar që kjo marrëveshje mund të zbatohet plotësisht dhe për të siguruar ofrimin e ndihmës humanitare shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve të pafajshme palestineze në Gaza”, theksoi ai.

Ai tha se marrëveshja “duhet” të parashikojë lirimin e disa pengjeve amerikane.

”Nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë”, shtoi ai.

Në sulmin e tij të paprecedentë terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor, Hamasi rrëmbeu rreth 240 persona në Rripin e Gazës dhe vrau 1 200 në rajonin kufitar.

Një ofensivë ajrore dhe tokësore nga Izraeli ka vrarë rreth 13 000 persona në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like