SHBA – Biden mbështet kandidaturën e Rutte si sekretari i përgjithshëm i NATO-s

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 22 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbështet fuqishëm kandidaturën e kryeministrit holandez, Mark Rutte si sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha një zyrtar amerikan.

Presidenti amerikan mbështet kandidaturën e Rutte pasi udhëheqja e kryeministrit holandez do t’i shërbente mirë aleancës në këtë kohë kritike”, tha ai.

“Politico” raportoi fillimisht mbështetjen e Biden për Rutte.

NATO synon të zëvendësojë sekretarin e përgjithshëm në largim, Jens Stoltenberg përpara samitit të 75-vjetorit të aleancës në Uashington. Ai u emërua në këtë pozicion në vitin 2014.

Anëtarët e aleancës ranë dakord dy herë për të zgjatur mandatin e Stoltenberg gjatë pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Ai pritet të largohet nga posti i tij më 1 tetor.

Rutte mori mbështetje edhe nga Britania e Madhe. Një zyrtar britanik tha se Rutte është i respektuar në të gjithë NATO-n dhe ka kredenciale të larta për mbrojtjen dhe sigurinë.

Për t’u emëruar sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Rutte ka nevojë për mbështetjen e konsensusit të të 31 anëtarëve të aleancës.

Nën presionin e SHBA-së dhe përballë një kërcënimi në rritje nga Rusia, aleatët e NATO-s kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes për të arritur objektivin e aleancës prej 2% të produktit të brendshëm bruto (PBB).

“Shpenzimet holandeze të mbrojtjes nën drejtimin e Rutte nuk arritën objektivin e PBB-së prej 2%, por janë rritur në mënyrë të qëndrueshme nga 1,15% e PBB-së në 2014 në 1,7% në 2023”, sipas të dhënave të NATO-s. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like