SHBA – Biden: Bota i tregoi Rusisë se nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 13 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se rezoluta e OKB-së, e propozuar nga SHBA dhe Shqipëria, kundër aneksimeve të Rusisë në Ukrainë, dhe e miratuar me një shumicë historike, ishte një mesazh për Moskën se ajo nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta.

“Sot, shumica dërrmuese e botës – kombe nga çdo rajon, i madh dhe i vogël, që përfaqësojnë një gamë të gjerë ideologjish dhe qeverish – votuan për të mbrojtur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe për të dënuar përpjekjen e paligjshme të Rusisë për të aneksuar territorin ukrainas me forcë”, tha Biden në një deklaratë.

“Aksionet e këtij konflikti janë të qarta për të gjithë – dhe bota ka dërguar një mesazh të qartë si përgjigje: Rusia nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta. Rusia nuk mund të ndryshojë kufijtë me forcë. Rusia nuk mund të kapë territorin e një vendi tjetër si të vetin”, tha Biden.

“Pothuajse tetë muaj pas kësaj lufte, bota sapo ka treguar se është më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për ta kërkuar Rusinë përgjegjëse për shkeljet e saj”, shtoi lideri amerikan.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënoi dje masën e fundit të Rusisë për të aneksuar rajonet lindore të Ukrainës Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhya, me një votim 143-5, me 35 vende abstenuese./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like