Sfida jubilare, “Konti Maks” bën sot 400 pankina te Juvja

by admin
Spread the love

Dueli i Kupës së Italisë ndaj Frozinones do të jetë një ndeshje jubilare për trajnerin Masimiliano Alegri.

Ai do të festojë 400 pankinat me Juventusin në të gjitha kompeticionet, kështu që është normale që dhurata e cila pret nga lojtarët e tij është fitorja dhe kualifikimi. Falë kësaj shifre, “Konti” Maks hyn në histori si trajneri më jetëgjatë në historinë e “zonjës së vjetër”, duke qenë fare pranë Marçelo Lipit të vendit të dytë me 405 pankina, ndërsa legjenda Xhovani Trapatoni duket i pakapshëm për momentin me 596 prezenca.

“Jam shumë i lumtur që arrij një shifër kaq të rëndësishme dhe që ndodhem pas dy përbindëshave të shenjtë si Lipi dhe Trapatoni. Nëse Marçelo është një burim frymëzimi dhe një mik për mua, Xhovani pastaj është special, pasi e kam pasur edhe trajner, ndaj jam më shumë sesa krenar. Në të njëjtën kohë kjo do të thotë edhe se po plakem… E kam në sensin sportiv, futbollistik (qesh)… E vërteta është se kur mbërrita te Juventusi nuk e mendova kurrë se do ta drejtoja për 8 vite këtë skuadër, por jam i lumtur që po jetoj këtë aventurë. Madje, nëse do të kthehesha pas nuk do të anuloja asnjë ndeshje, sepse në 8 vite kam jetuar shumë ndeshje të bukura dhe e besoni ose jo, i kujtoj të gjitha. Por nuk do të anuloja as ato të shëmtuarat, si ajo me Xhenoan, ku për pak nuk humbnim 3-0. E them këtë sepse në sport, ashtu sikurse në jetë, nuk duhet të shohësh kurrë mbrapa, por vetëm përpara. Prandaj për ne, për Juventusin, sfida më e rëndësishme është gjithmonë ajo e radhës dhe e radhës është Frozinone dhe kualifikimi në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë”, u shpreh livornezi.

PANORAMASPORT.AL

You may also like