Senatorët republikanë në SHBA bllokojnë ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin

by admin
Spread the love

Shpenzimet emergjente përmes së cilave do të ofroheshin miliarda dollarë si ndihmë e re sigurie për Ukrainën u bllokuan në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mërkurën, ndërkohë republikanët kërkuan masa më të ashpra për të kontrolluar migrimin në kufirin me Meksikën.

Ishin 49 senatorë që votuan për, ndërsa 51 të tjerë kundër, duke e lënë kështu masën prej 110.5 miliardë dollarësh me më pak se 60 votat e nevojshme në Senatin prej 100 anëtarësh.

Votimi u bë sipas linjave partiake, me çdo republikan të Senatit që votoi kundër, së bashku me senatorin Bernie Sanders, një i pavarur që përgjithësisht voton me demokratët, por kishte shprehur shqetësime për financimin e “strategjisë aktuale çnjerëzore ushtarake” të Izraelit kundër palestinezëve.

Projektligji do të siguronte rreth 50 miliardë dollarë ndihmë të re sigurie për Ukrainën, si dhe para për ndihmë humanitare dhe ekonomike për qeverinë në Kiev, plus 14 miliardë dollarë për Izraelin derisa lufton me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Gaza.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, gjithashtu votoi kundër, në mënyrë që të mund të prezantojë përsëri masën në të ardhmen.

Pas votimit, Schumer foli për rreziqet nëse Ukraina bie. Republikanët thanë se ishte thelbësore të mbështesnin politikat e forta të migracionit dhe kontrollin e kufirit jugor.

Edhe nëse projektligji kalon në Senat, ai duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, ku dhjetëra republikanë kanë votuar kundër ndihmës për Ukrainën, duke përfshirë kryetarin Mike Johnson.

Republikanët dhe demokratët kanë debatuar me muaj se si të adresojnë kërkesën e Bidenit për miliarda dollarë fonde për Ukrainën derisa ajo lufton pushtuesit rusë, për Izraelin pas sulmeve të 7 tetorit nga militantët islamikë të Hamasit dhe për ndihmë humanitare ndërkombëtare. /REL


Top Channel

You may also like