Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave takohet me Muratin dhe Sveçlën

by admin
Spread the love

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya,  i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, filluan vizitën dy ditore në Republikën e Kosovës.

Në njoftimin e Doganës thuhet se kjo është një vizitë historike pasi që Sekretarit i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave për herë të parë viziton Kosovën me ftesë të Doganës së Kosovës.

Mikuriya zhvilloi takim me ministrin e Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, ku u diskutuan tema të rëndësishme në aspektin e bashkëpunimin tregtar si dhe në ngritjen e kapaciteteve të Kosovës.

Pas takimit Murati theksoi: “E njoftova për performancën e mirë sa i përket rritjes së eksporteve dhe kapaciteteve në prodhim. Si dhe për procese tjera që kanë të bëjnë me digjitalizimin. Është hera e parë që sekretari vjen në Kosovë dhe besoj që edhe gjatë ditëve në vijim do të ketë vizita tjera”.

Derisa Mikuriya theksoi se Dogana e Kosovës ka bërë përparim sa i përket zbatimit të standardeve të përgjithshme.

“Jam shumë i lumtur që vizitoj një vend te ri. Jemi shumë të lumtur që të mirëpresim Kosovën si anëtarin tonë. Ne do të monitorojmë progresin e doganave. Doganat e Kosovës kanë bërë një përparim te madh edhe sa i përket zbatimit të standardeve të përgjithshme. Ne kemi biseduar për mbështetjen e vazhdueshme politike për reformat doganore. Ne po shikojmë se si te ofrojmë kapacitete mbështetëse për burimet njerëzore në dogana”, theksoi Mikuriya.

Sekretari i Organizatës Botërore të Doganave u takua edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e që u diskutuan tema në fushën e sigurisë së përgjithshëm kufitare dhe njëkohësisht u prezantua modeli i menaxhimit të integruar të kufirit që Kosova ka për momentin.

Takimi do të vazhdojë me vizitë në pikat kufitare të Kosovës ku Mikuriya do të njoftohet për së afërmi me arritjet e Doganës.

You may also like