Samiti i BRICS/ A rrezikon Putini arrestimin nëse fluturon në Afrikën e Jugut?

by admin
Spread the love

Urdhri i arrestit i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, po shkakton probleme për pjesëmarrjen e Presidentit të Rusisë Vladimir Putin në samitin vjetor në Afrikën e Jugut. 

Urdhër-arresti pretendon se Vladimir Putin është përgjegjës për krimet e luftës në Ukrainë. Kjo do të thotë se çdo vend nën juridiksionin e ICC-së është i detyruar të dorëzojë Putinin nëse ai shkel në territorin e tyre.

Dhe Afrika e Jugut, vend në të cilin udhëheqësi rus do të marrë pjesë  në samitin e 15-të të BRICS, është nën juridiksionin e ICC.

Pra, çfarë mund të ndodhë?

Zyrtarët ‘po përpiqen të bindin Putinin që të mos vijë’

Sipas mediave lokale, zyrtarët e Afrikës së Jugut po përpiqen të bindin presidentin rus që të mos marrë pjesë personalisht. Samiti është një takim vjetor i pesë ekonomive kryesore – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – të njohura si BRICS.

BRICS konsiderohet një rival i madh gjeopolitik i bllokut G7 të ekonomive kryesore të përparuara dhe anëtarët e tij synojnë të veprojnë në bazë të mosndërhyrjes dhe përfitimit reciprok. Mendohet se Putini në vend të kësaj mund të marrë pjesë me video-konferencë.

Një ish-këshilltar i Kremlinit ka parashikuar gjithashtu se Putini nuk do të fluturojë në Afrikën e Jugut për samitin, por pretendoi se kjo nuk do të ishte për shkak të kërcënimit të arrestimit të tij. Përmes një mesazhi në Telegram, Sergei Markov tha se “nuk ekziston fare një kërcënim i tillë” për arrestimin e Putinit dhe se siguria ishte “negociuar plotësisht”.

Në vend të kësaj, Markov pretendoi se ekziston “kërcënimi i një sulmi terrorist kundër Putinit nga shërbimet sekrete të SHBA-së dhe Britanisë”. 

Putini fluturon jashtë vendit vetëm mbi territoret e vendeve mike. Dhe në rrugën për në Afrikën e Jugut, ju duhet të fluturoni nëpër shumë vende nga ku shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike mund të organizojnë një sulm terrorist“- tha ai.

A mund të tërhiqet Afrika e Jugut nga ICC?

Presidenti i Afrikës së Jugut ka thënë se vendi i tij po synon të shfuqizojë anëtarësimin në ICC.

“Partia qeverisëse, Kongresi Kombëtar Afrikan, ka marrë atë vendim se është e kujdesshme që Afrika e Jugut duhet të tërhiqet nga GJNP, kryesisht për shkak të mënyrës në të cilën ICC është parë të merret me këto lloj problemesh”- tha Presidenti Cyril Ramaphosa, në një referencë të dukshme ndaj urdhër-arrestit të Putinit.

Urdhri u lëshua pasi Putini kishte marrë tashmë ftesën e tij në samitin e BRICS në gusht.

“Ai është ftuar nga Presidenti Ramaphosa dhe Rusia ka treguar pjesëmarrjen,” tha zyrtari i Afrikës së Jugut, përgjegjës për marrëdhëniet me vendet e BRICS, Anil Sooklal.

Megjithatë, Kremlini ka thënë se do të marrë një vendim për pjesëmarrjen e Putinit më afër kohës. Megjithatë edhe nëse Afrika e Jugut mund të tërhiqet nga ICC, procesi është i gjatë dhe nuk ka gjasa të përfundojë deri në kohën e samitit të BRICS./ Përgatiti Top Channel


Top Channel

You may also like