Sami Sermaxhaj: Foda më i përgatitur se paraardhësit e tij, shpresojmë që ta përsërisë te Kosova suksesin që kishte te Austria

by admin
Spread the love

Kosova të premten nisi kapitullin e ri nën urdhërat e trajnerit, Franco Foda.

Tekniku gjerman debutoi me fitore te “Dardanët” duke mposhtur në miqësore Armeninë me rezultat minimal 0-1 falë golit të realizuar nga Milot Rashica.

Trajneri kosovar, Sami Sermaxhaj për “GazetaBlic Sport” komentoi paraqitjen e parë të Kosovës nën urdhërat e Fodës duke thënë se shihet një frymë e re te Kombëtarja e Kosovës.

Sipas tij Foda është trajner më i përgatitur sesa paraardhësit e tij te Kosova.

“Ishte e domosdoshme një ndryshim në Kombëtaren tonë, trajneri i ri debutoi me fitore, një fillim i mbarë, por përveç rezultatit pozitiv, është me rëndësi që në këto ndeshje testuese të vlerësojë lojtarët dhe të gjejë një model loje që u mundëson lojtarëve të shfaqin më të mirën e tyre për Kombëtaren.

Sa i përket emërimit të trajnerit, mendoj se FFK ka zgjedhur një trajner më të suksesshëm se trajnerët e mëparshëm. Përveç përvojës si lojtar profesionist, ai ka edhe përvojën e suksesshme si trajner i skuadrave, por edhe trajner që arriti të kualifikojë edhe Kombëtaren e Austrisë. Prandaj shpresojmë që të njëjtën gjë ta përsërisë edhe me Kombëtaren tonë”, tha fillimisht Sermaxhaj për GazetaBlic Sport.

Sermaxhaj komentoi edhe paraqitjet e mira të grupmoshave të reja të Kosovës sidomos U19, por edhe të U21 duke thënë se shihet se përveç Kombëtares A, Kosova ka potencial edhe në gjeneratat e reja.

“Ekipet U21 dhe U19 kanë arritur rezultate shumë impresionuese, për çka duhet përgezuar trajnerët, lojtarët dhe gjithë akterët tjerë pjesëmarrës. Është diçka që tregon se Kosova ka një rini me shumë talent për lojën e futbollit, për të përfaqësuar denjësisht vendin tonë në vitet në vijim. Urojmë që këta futbollistë të vazhdojnë të luajnë në nivelet profesionale dhe të marrin minutat e nevojshme në ekipet e tyre, që do t’i mundësojnë të japin kontribut edhe te Kombëtarja A.

Kombëtarja A tani ka një kuadër shumë të mirë të lojtarëve, reparti i sulmit është i jashtëzakonshëm, por kërkohen më shumë alternativa në mesfushë dhe në repartin e mbrojtjes”, përfundoi Sermaxhaj.

Kujtojmë që me 26 mars Kosova luan një tjetër ndeshje miqësore ndaj Hungarisë.

/GazetaBlic Sport/

You may also like