RUSI – Putini tërhiqet zyrtarisht nga Traktati i Ndalimit të Testeve Bërthamore

by admin
Spread the love

MOSKË, 2 nentor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin tërhoqi sot ratifikimin e ndalimit të testimit të armëve bërthamore nga Rusia, duke hapur potencialisht rrugën për këtë praktikë për herë të parë ndër dekada.

Vendimi ishte i pritur, pasi Rusia nisi zyrtarisht procesin e saj të tërheqjes muajin e kaluar.

Revokimi i Rusisë u kodifikua në një dekret të botuar sot në bazën e të dhënave zyrtare legjislative të Rusisë.

“Bashkimi Evropian e “dënon thellësisht” vendimin e Rusisë”, tha sot kryediplomati i BE-së, Josep Borrell në Bruksel duke shtuar se Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBT) është një instrument me rëndësi vendimtare për çarmatimin bërthamor dhe mospërhapjen.

“Traktati është thelbësor për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare që të gjitha shtetet të respektojnë plotësisht moratoriumin për shpërthimet e testimit të armëve bërthamore ose çdo shpërthim tjetër bërthamor dhe të përmbahen nga çdo veprim në kundërshtim me objektin dhe qëllimin e traktatit”, tha Borrell.

Putin e kishte justifikuar më parë tërheqjen nga CTBT duke thënë se Rusia duhet të kishte të njëjtat opsione si fuqia tjetër e madhe bërthamore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe nga Rusia, SHBA-ja nuk e ratifikoi kurrë traktatin.

Megjithatë, SHBA-ja, si të gjitha vendet e tjera përveç Koresë së Veriut, ka respektuar ndalimin e testimit të armëve bërthamore që nga vitet 1990.

Vetë traktati u miratua në vitin 1996 për të frenuar zhvillimin e mëtejshëm të armëve bërthamore.

Organizata CTBT në Vjenë operon një rrjet global stacionesh matëse që mund të zbulojnë testet bërthamore me anë të valëve të presionit dhe gjurmëve kimike dhe bërthamore.

Rusia kërkon të vazhdojë të ofrojë të dhëna nga 32 stacionet e veta.

“Rusia do të testojë përsëri armët bërthamore vetëm nëse SHBA-ja bën të njëjtën gjë”, tha Moska. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like