RUSI – ”Analizat kimike” vonojnë marrjen e trupit të Navalnyt nga familjarët

by admin
Spread the love

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ – Familja e Alexei Navalnyt, kritikut të Putinit që vdiq në një burg rus, është njoftuar se trupi i tij nuk do të jepej për dy javë, për shkak të analizave kimike, sipas BBC.

“Nëna e tij u informua se po mbahej për kryerjen e analizave kimike”, tha një përfaqësues i Navalny.

Nuk ka asnjë konfirmim për vendndodhjen e trupit nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për gjetjen e tij janë mbyllur vazhdimisht.

Bashkeshortja e liderit të ndjerë të opozitës ruse i ka akuzuar ata se e kanë fshehur trupin e tij.

Në një video të hënën duke u zotuar se do të vazhdojë punën e tij për të luftuar për një Rusi të lirë, Yulia Navalnaya akuzoi drejtpërdrejt presidentin rus, Vladimir Putin për vrasjen e bashkëshortit të saj.

Ajo gjithashtu pretendon se trupi i tij po mbahet derisa gjurmët e helmimit te zhdukeshin.

Zëdhënësi i Putinit i ka mohuar pretendimet se Navalny është helmuar duke i quajtur ato të pabaza.

Vdekja e Navalnyt në burg u njoftua të premten. Autoritetet në koloninë penale siberiane ku ai po mbahej thanë se ai nuk kishte rifituar kurrë vetëdijen pasi ishte rrëzuar.

Përpjekjet për gjetjen e trupit janë mbyllur vazhdimisht nga morgu i burgut dhe autoritetet lokale.

Kremlini tha dje se një hetim për vdekjen e Navalnyt ishte në vazhdim dhe se ende nuk kishte asnjë rezultat.

Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh tha se hetuesit i kishin thënë nënës së Navalny, Lyudmila, se nuk do ta dorëzonin trupin për dy javë, ndërsa ata kryenin një analizë kimike.

Navalny, i cili ishte lideri më i rëndësishëm i opozitës ruse gjatë dekadës së fundit, po vuante një dënim 19-vjeçar për akuza të konsideruara si të motivuara politikisht.

Udhëheqësit perëndimorë kanë fajësuar presidentin rus, Putin për vdekjen e Navalny.

“Putini është përgjegjës, pavarësisht nëse e ka urdhëruar apo është përgjegjës për rrethanat në të cilat e ka vënë atë njeri”, tha presidenti amerikan, Joe Biden duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të hënën.

Gjatë një konference për shtyp të hënën, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se Navalny ishte vrarë ngadalë në një burg rus nga regjimi i Putinit.

BE-ja dhe SHBA-ja thanë se po shqyrtojnë sanksione të reja ndaj Rusisë pas vdekjes së Navalny.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se deklaratat e politikanëve perëndimorë në lidhje me vdekjen e Navalny ishin “arrogante” dhe “të papranueshme”.

Autoritetet ruse të burgut thanë në fundjavë se Navalny kishte pësuar “sindromën e vdekjes së papritur”./ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like