RTSH-ja arsyetohet se nuk i transmeton ndeshjet e Kombëtares së Kosovës

by admin
Spread the love

RTSH është lider në rajon sa i përket transmetuesve publikë rreth pasqyrimit të aktiviteteve sportive. Ajo mbulon për territorin e Shqipërisë ngjarje të mëdha sportive nga Liga e Kampionëve me një ndeshje në javë, deri te sportet tjera të ndjekura si Formula 1, por jo edhe Kombëtaren e Kosovës në futboll.

Hera e fundit që ajo transmetohej në valët e transmetuesit publik shqiptar daton në kualifikueset për Botëror, 2016-2018.

Shpeshherë në Kosovë ka pasur futbollndjekës të shumtë që kanë parashtruar pyetjen se “përse Kombëtarja e Kosovës nuk mbulohet me transmetim televiziv nga Radio Televizioni Publik Shqiptar?”

Nëse ndodhesh në Shqipëri dhe dëshiron ta shikosh një ndeshje të Kombëtares së Kosovës, atëherë je i detyruar që të kesh abonim në platformën pay-for-view, gjegjësisht në DigitAlb/Shqip, që gëzon paketën e plotë të transmetimit të të gjitha ndeshjeve kualifikuese në nivel kombëtaresh evropiane. Në anën tjetër, në Kosovë të gjithë ata që dëshirojnë ta shikojnë Kombëtaren e Shqipërisë, e kanë më të lehtë, sepse për dy dekada më radhë, hiç ndonjë përjashtim, RTK vazhdimisht ka sjellur ndeshjet e ekipit kombëtar kuqezi në shtëpitë e shtetasve kosovarë.

Thënë të vërtetën, RTSH pati siguruar transmetimin e ndeshjeve të Kosovës kur ajo filloi zyrtarisht të marrë pjesë si e barabartë në gara kualifikuese, respektivisht në kampanjën për Botërorin 2018, që përfundonte në tetor të vitit 2017. Prej atëherë, asnjëherë më kombëtarja e Kosovës nuk figuroi në ekranin shqiptar.

Në lidhje me këtë temë që herë pas here rikthehet si aktuale brenda shoqërisë kosovare, gazeta Nacionale ka kontaktuar me drejtorin e departamentit të sportit në RTSH, Pano Xhixho, i cili u tregua i qasshëm për pyetjet tona.

Në pyetjen se përse kombëtarja e Kosovës nuk zë vend në paketën sportive të RTSH-së dhe cilat janë arsyet, ai u shpreh: “RTSH ka konkurruar në UEFA për paketën sportive të Përfaqësueses së Kosovës. Përpos sakrificës financiare, e humbëm këtë tender”, theksoi ai.

Mungesa e transmetimit të kombëtares së Kosovës në RTSH është përcjellur jo rrallëherë me shumë reagime brenda komunitetit futbolldashës kosovar, duke shtruar dilema rreth asaj se përse ndodh një gjë e tillë: nëse ka të bëjë me një shkallë neglizhence karshi Kosovës nga transmetuesi publik shqiptar, apo fshehët ndonjë gjë tjetër prapa gjithë kësaj. E gjithë kjo ka shfaqur pakënaqësi te një pjesë të tifozëve dardanë.

Kanë të drejtë (rreth pakënaqësive), por RTSH nuk ka mundësi financiare të konkurrojë me platformat private. Edhe pse e kemi prioritet përcjelljen e këtyre eventeve, ndonjëherë ato janë jashtë mundësive tona“, u përgjigj Pano Xhixho.

Në bazë të informatave që siguroi gazeta Nacionale, fakti që kombëtarja e Kosovës nuk pasqyohet në Radio Televizionin Shqiptar tani e pesë vjet, ka të bëjë me një raport jo shumë bashkëpunues mes këtyre të fundit dhe DigitAlb/Shqip si kompani private, pasi nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët komunikimi për t’i ndarë bashkërisht të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të kombëtares dardane.

“Të drejtat për transmetimin e ndeshjeve të Kosovës i ka fituar DigitAlb, kompani të cilës përsëri ia kemi kërkuar këtë të drejtë, por e ka mbajtur ekskluzivitetin për vete. Në fushatën kualifikuese 2016-2018, RTSH i ka mbuluar ndeshjet e Kosovës, sepse i kishte fituar ato të drejta në UEFA“, shtoi Pano Xhixho.

Kur u pyet në lidhje me atë nëse do të bënin një sakrificë financiare për ta mbuluar Kombëtaren e Kosovës duke paguar DigitAlb/Supersport, ai tha: “Po, por kjo varet nga dashamirësia e DigitAlb, e cila nuk e ka pranuar ofertën tonë për ndeshjet e Kosovës. Por, ju garantoj që e kemi kërkuar deri në fund”, përfundoi ai.

Gazeta Nacionale kontaktoi disa burime në selinë e Shqip në Shqipëri, për ta konfirmuar nëse këndvështrimi është i njëjtë rreth kësaj situate edhe prej anës së tyre.

Për territorin e Shqipërisë ndeshjet e Kosovës i ka vetëm DigitAlb dhe mund t’i ndjekësh vetëm aty. Nuk ka marrëveshje bashkëpunimi me asnjë televizion tjetër në Shqipëri. Kështu është bërë kontrata në fillim dhe s’ka pasur ndryshime”, theksoi ky burim.

Kështu u sqarua për herë të parë i gjithë pluhuri që ngritej rreth këtij debati tani e një kohë. Sigurisht që është në të drejtën e çdo operatori t’i ruajë ekskluzivitetet që posedon, por për të mirën e përgjithshme, të shqiptarëve në përgjithësi, do të ishte më e duhur nëse ndeshjet e Kombëtares dardane do të kishin një shtrirje më të madhe televizive qoftë edhe në territorin shqiptar

You may also like