Rritet bilanci tragjik në hatanë hekurudhore greke, dorëheqje në qeveri – Shqip

by admin
Spread the love

Ka shkuar në 40 numri i të vdekurve në një aksident treni në Greqi, sipas përfaqësuesve të Zjarrfikësve dhe policisë.

Sipas mediave greke, vlerësohet se numri i viktimave do të rritet. Po trajtohen 72 të lënduar, gjashtë prej të cilëve në terapi intensive. Më parë, televizioni shtetëror grek ERT raportoi se 50 deri në 60 persona rezultojnë të zhdukur.

Ministri grek i Infrastrukturës dhe Transportit Kostas Karamanlis dha dorëheqjen dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis, pasi vizitoi vendin e aksidentit, e përshkroi përplasjen si një “tragjedi të papërshkrueshme” dhe shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për të afërmit e viktimave.

“Detyra jonë tani është të mjekojmë të plagosurit dhe të jemi me ta. Mund të garantoj vetëm se do të zbulojmë shkaqet e kësaj tragjedie dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ajo të mos ndodhë më kurrë”, shkroi ai në Twitter.

Përplasje mes trenit të pasagjerëve dhe mallrave

Një tren pasagjerësh dhe mallrash u përplasën në Greqinë qendrore mbrëmjen e së martës dhe ekipet e shpëtimit po evakuojnë pasagjerët nga vagonët e djegur.

“Evakuimi i pasagjerëve është duke u zhvilluar në kushte shumë të vështira duke pasur parasysh seriozitetin e përplasjes së trenit”, tha më herët në një fjalim televiziv zëdhënësi i zjarrfikësve, Vassilis Varthakogiannis.

Në trenin e pasagjerëve ishin rreth 350 pasagjerë dhe në trenin e mallrave rreth 20 punëtorë hekurudhor. Televizioni SKAI shfaqi pamjet që shfaqnin vagona të dalë nga shinat dhe re të dendura tymi.

Katër vagona kanë dalë nga shinat

Policia, 40 zjarrfikëse dhe rreth 30 autoambulanca ndodhen në vendin e aksidentit, raporton media lokale Onlarissa.

Konstantinos Agorastor, guvernatori i rajonit më të gjerë të Thesalisë, tha për TV SKAI se dy trena u përplasën – një tren pasagjerësh që transportonte pasagjerë nga Athina në Selanik dhe një tren mallrash në linjën Selanik-Larisa.

“Përplasja ishte shumë e fortë”, tha Agorastor, duke shtuar se katër vagona dolën nga shinat, dy prej të cilave ishin “pothuajse tërësisht të shkatërruara”. /tesheshi.com/

You may also like