Rrëzimi i avionit në Vermosh,Policia:Nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm

by admin
Spread the love

Policia e Shkodrës ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me rrëzimin e avionit në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, bashkia Malësia e Madhe.

Policia bën me dije se nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore  rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi,  është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

Në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit.

You may also like