“Rrezik! Shtëpia e kriminelit të luftës!” – Shqip

by admin
Spread the love

Nisma Rinore serbe për të Drejtat e Njeriut (YIHR) paralajmëroi opinionin për krimet kundër njerëzimit për të cilat u dënua lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel, i cili është edhe kandidati i sivjetshëm për deputet në Kuvendin e Serbisë.

Aktivistët vendosën tabela pranë shtëpisë së Sheshel në fshatin Hrtkovci të Vojvodinës me mbishkrimin: “Rrezik! Shtëpia e një krimineli lufte!”.

Nisma tha: “Duam t’i kujtojmë publikut krimet kundër njerëzimit për të cilat u dënua lideri i Partisë Radikale Serbe dhe kandidati i sivjetshëm për deputet në Kuvendin e Serbisë”.

Sheshel njoftoi bashkëpunimin e radikalëve me Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandër Vuçiçit në zgjedhjet në Beograd dhe qytete e komuna në Serbi.

Ai shprehu besimin se radikalët do të hyjnë në parlament dhe është i gatshëm të mbështesë Vuçiçin për të shmangur një koalicion me “partitë tradhtare”, siç tha ai.

Vojislav Sheshel e bleu shtëpinë në Hrtkovci në vitin 2018 pas vendimit të Gjykatës së Hagës. Ai u dënua me dhjetë vjet burg për nxitje të persekutimit, dëbimit dhe shpërnguljes së detyruar të kroatëve në fshatin Hrtkovci në vitin 1992.

Sheshel lexoi publikisht emrat e kroatëve që duhet të shpërngulen, gjë që konsiderohet si fillimi i persekutimit të kroatëve nga zona e Srijem dhe Baçka, dhe rezultoi me vdekjen e 25 personave, ndërsa tre janë ende të zhdukur.

Pavarësisht vendimit për krime lufte, Sheshejl ishte deputet i parlamentit serb nga viti 2016 deri në vitin 2020. Së fundmi, Gjykata e Hagës e akuzoi atë për shpërfillje të gjykatës. Sheshel ishte në paraburgim të Gjykatës së Hagës nga viti 2003 deri në nëntor 2014, kur u lirua për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij. /tesheshi.com/

You may also like