Rrëfehet Armando Broja: Dua të çoj Shqipërinë në Kupën e Botës

by admin
Spread the love

Sulmuesi i kombëtares shqiptare Armando Broja ka dhënë një intervistë të gjatë për “The Players Tribune”. Sulmuesi i Chelsea ka treguar rolin që ka familja në karrierën e tij, dëshirën për të luajtur me kombëtaren kuqezi si dhe idhujt e tij.

“Babai im thotë: Armando, nuk të lejohet të ndalosh së luajturi futboll derisa ta çosh Shqipërinë në një Botëror! Nëse nuk e dini, Shqipëria nuk është kualifikuar kurrë për Kupën e Botës. Megjithatë, sinqerisht, në të vërtetë më pëlqen presioni dhe më pëlqen ta kem atë si objektiv – pavarësisht se sa i madh apo i largët duket tani. Është gjithmonë në mendjen time.

Më kujtohet kur isha i vogël dhe sapo fillova futbollin, ai kthehej vonë nga puna dhe ishte i rraskapitur. Mund të ishte ora 10 apo 11 e natës dhe ai mund të kishte punuar 15 orë gjatë ditës, por ai gjithmonë pyeste: “Armando, a e ke bërë stërvitjen sot?”

Që ta dini, duke u rritur, unë isha i fiksuar pas Kristiano Ronaldos, si shumica e fëmijëve të brezit tim. Por babai im ishte i fiksuar pas Ronaldos tjetër. Brazilianit.

Ishte një moment kur Anglia U-21 më donte dhe, po, mendova për këtë dhe atë që doja për të ardhmen time, por sinqerisht … nuk më duhej të mendoja shumë gjatë. Jam rritur në Angli, por jam krenar që jam shqiptar.

Kudo që jetonim si familje, ishte gjithmonë një shtëpi shqiptare, e dini? E zhurmshme. Plot me shumë debate të vogla, por shumë e bashkuar. Nuk më kujtohet një natë kur nuk uleshim dhe hanim darkë si familje.

Prindërit e mi u siguruan që kultura të ishte rrënjosur thellë tek unë. Udhëtuam shumë drejt Shqipërisë kur isha duke u rritur, në mënyrë që të mësoja gjuhën dhe të takoja të gjithë familjen time – ju betohem që të gjithë ata që hasëm në Kamicë ishin kushërinj të mi.

Sa herë që udhëtoj për ndeshjet me kombëtaren dhe vesh fanellën kuqezi ndjej këtë krenari dhe emocion të pabesueshëm.

Unë e kam përjetuar tashmë “Arenën Kombëtare” në Tiranë duke thirrur emrin tim dhe nuk ka ndjesi më të mirë.

Sinqerisht, natën kur luajtëm me Poloninë vitin e kaluar, nuk kisha përjetuar kurrë një atmosferë të tillë në Premier League apo askund tjetër. Ishte çmenduri!

Dua të jem Herri Kejn. Ronaldo apo R9 i Shqipërisë. Dua ta çoj vendin tim në një Kupë Bote. Dhe kur karriera ime të ketë mbaruar, dua që emri im të jetojë. Për Shqipërinë. Për babin tim”, ka thënë mes të tjerash Broja. / Oversport.tv

You may also like