Rikthehet Interi! Likuidon Veronën në 45 minuta dhe shton presionin ndaj kreut

by admin
Spread the love

Duket se fitorja përballë Juventusit në Torino ka rikthyer në shina Interin, që mposht bindshëm 2-0 në “San Siro” Veronën dhe shton presionin ndaj Napolit dhe Milanit kryesues (aktualisht diferenca me kuqezinjtë është 1 pikë).

Djemtë e Inzaghit bëjnë një pjesë të parë thuajse perfekte dhe mbyllin në avantazh të dyfishtë këtë fraksion loje. Verona reagon në pjesën e dytë dhe ka disa mundësi për të rihapur sfidën, por Handanovic është i pakalueshëm.

Interi merr një fitore të çmuar në garën për titullin kampion dhe pas këtij suksesi shton presionin te Napoli e Milani që luajnë nesër ndeshjet respektive të javës së 32-të të Serie A.

Interi zhvillon një pjesë të parë shumë të mirë, në limitet e perfektes në “San Siro” përballë Veronës. Zikaltërit dominojnë totalisht sfidën dhe arrijnë të mbyllin 45 minutat e para në avantazh të dyfishtë.

Ndeshjen e zhbllokon Barella, ndërsa Dzeko shënon golin e dytë dhe në të dyja rastet asisti vjen nga këmbët e Perisic. Verona rrezikon vetëm një herë me Simeone, por Handanovic nuk lejon që porta e tij të preket. De Vrij ka një problem muskulor dhe zëvendësohet nga D’Ambrosio në pjesën e dytë.

Interi nis me të njëjtin ritëm edhe pjesën e dytë dhe rrezikon me Dumfries, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Miqtë përgjigjen me Ceccherinin, që nuk arrin të godasë në shenjë nga një pozicion i mirë.

Verona merr zemër dhe rrezikon me Simeonen, por Handanovic është i pakalueshëm. Provon edhe Lasagna për veronezët por nuk arrin që të shënojë.

Skenën e rimerr sërish Interi që i afrohet golit të tretë me Calhanoglu, ndërsa D’Ambrosio ndalet nga shtylla dhe portieri Montipo. Verona provon të rihapë ndeshjen me Ilic, por Skriniar devijon topin larg portës.

Zikaltërit menaxhojnë minutat e mbetura dhe arrijnë të marrin një fitore me vlera 2-0, që i mban në garën për titullin kampion. Verona u zgjua vonë, por skuadra e Tudor e ka arritur objektivin e saj sezonal.

Foto: Inter Twitter

You may also like