Reshjet e shiut rrisin rezervën energjitike në Fierzë, KESH: Prodhimi nuk ka nisur ende

by admin
Spread the love

Reshjet intensive të shiut, kanë shtuar rezervën energjitike në Fierzë, ku në tre ditë niveli i ujit në liqenin e Fierzës është rritur me më shumë se dy metra, duke arritur 269,5 m ndërkohë që prurjet thuajse janë trefishuar duke arritur në 250m3 në sekondë.

Por pavarësisht kësaj ende nuk ka nisur prodhimi i energjisë elektrike në hidrocentralin e Fierzës për të rritur më tej rezervën.

Përmirësim të gjendjes hidrike në liqenet ujëmbledhëse ka pësuar edhe Komani, i cili ka arritur në 170 metra dhe Vau Dejës në 73.3 metra.

Ndërkohë çmimi i energjisë elektrike në bursa, është stabilizuar dhe në oraret e pikut tashmë po shitet me 133 euro.

KESH ka blerë energji për periudhën 11-18 shtator ndërsa në bazë të ecurisë së çmimeve në bursë në fillim të javës së ardhshme do të vendoset nëse do të vijoj importi apo do të shtohet prodhimi në kaskadën e Drinit.

Ekspertët kanë parashikuar një dimër të vështirë, për sa i përket situatës energjitike dhe nisur nga kjo në Shqipëri është vendosur që nga tetori faturimi të jetë më i lartë për familjet që shpenzojnë mbi 800KwH.

Sipas të dhënave zyrtare, janë rreth 40 mijë familje që do të paguajnë energjinë mbi këtë limit me 42 lekë kw nga 9.5 që paguajnë aktualisht.

Por për shkak se Shqipëria është e fokusuar në prodhimin e energjisë nga uji, pritet që reshjet e vjeshtës të përmirësojnë situatën e prodhimit të energjisë në vend.

You may also like