Momenti i të vërtetës për Arsenalin, Saka: Dhimbja e sezonit të shkuar na ka forcuar

by admin
Spread the love

Bukajo Saka është zotuar se Arsenali nuk do të zhgënjehet nga ndjekja e Mançester Sitit në garën për titull të këtij sezoni. “Topçinjtë” kanë fituar 14 nga 16 ndeshjet e tyre në Premier Ligë këtë vit kalendarik, duke humbur vetëm një herë dhe shënuar 51 gola dhe pësuar vetëm 8 gjatë 2024.

E megjithatë, titulli është jashtë duarve të tyre, me Mançester Sitin e Pep Guardiolës një pikë prapa dhe me një ndeshje më shumë në dispozicion për të bërë kapërcimin e madh në klasifikim. Kryesuesit e kampionatit mund ta gjejnë veten të zbresin në vend të dytë deri në kohën kur ata udhëtojnë drejt “Old Trafford” për ndeshjen e tyre të parafundit të sezonit të dielën kundër Junajtid, gjithnjë nëse Siti mund Fulhamin në “Craven Cottage” të shtunën.

Arsenali po lutet për një gabim të kampionëve të Pepit, ndërsa Saka mbetet pozitiv. Sulmuesi i Arsenalit shpjegoi: “Ju mund ta shikoni atë në dy mënyra, si zhgënjyese ose si një sfidë të bukur. Të gjithë e dinë se janë një nga skuadrat më të mira në botë. Ata kanë qenë në krye për pesë vitet e fundit, sfidues për gjithçka.

Deri më tani, të jesh atje lart dhe të sfidosh me ta është pozitive. Ne nuk do të zhgënjehemi. Ne e shohim atë si një sfidë. Ne duam të luftojmë deri në fund dhe t’i shtyjmë ata deri në fund. Ata kanë vendosur standardin dhe na takon ne të tjerëve të përpiqemi të jemi më të mirë se ata. Ne fokusohemi vetëm te vetja. Kjo është gjithçka që mund të bëjmë”.

Kujtimet e sezonit të dhimbshëm të vitit të kaluar, duke shpërdoruar një avantazh prej tetë pikësh kundër Sitit për t’i dhënë fund sezonit pesë pikë larg kreut, do të jenë të freskëta në mendjet e skuadrës së Artetës këto ditë. Por Saka shtoi: “Fundi i sezonit të kaluar na ka bërë më të fortë këtë vit, na ka bërë më të uritur për të bërë një hap më tej. Dhimbja na ka bashkuar. Ne të gjithë jemi kaq të uritur, por edhe në vitet e ardhshme, ne duam të fitojmë”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

You may also like