REPORTAZH – Një luftë ku fëmijët mbajnë në krahë bashkëmoshatarët e plagosur

by admin
Spread the love

JERUSALEM, 1 nëntor /ATSH/ – Palestinezët e plagosur kanë filluar të mbërrijnë në Egjipt, tha Ministria egjiptiane e Shëndetësisë.

”Palestinezët e plagosur nga Gaza kanë filluar të mbërrijnë në Egjipt përmes pikës kufitare Rafah”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Egjiptit për CNN.

Ndërkohë, një sulm izraelit që synonte një komandant të Hamasit në kampin e refugjatëve ”Jabalya”, në Gazën Veriore, ka lënë dëme katastrofike dhe ka vrarë një numër të madh njerëzish, sipas dëshmitarëve okularë dhe mjekëve në enklavë.

Shkatërrimi i shkaktuar nga sulmi shkaktoi pikëllim për viktimat civile, teksa banorët e Gazës u zgjuan nga një ndërprerje tjetër e komunikimit sot në mëngjes.

Të mbijetuarit dhe dëshmitarët okularë folën për skena apokaliptike pas goditjes, e cila krijoi një krater masiv në mes të kampit të mbushur me njerëz.

”Po prisja në radhë për të blerë bukë kur papritmas dhe pa asnjë paralajmërim paraprak ranë shtatë deri në tetë raketa”, tha një dëshmitar okular.

”Kishte shtatë deri në tetë vrima të mëdha në tokë, plot me njerëz të vrarë, pjesë trupash në të gjithë vendin. Ishte si fundi i botës”, shtoi ai.

Sipas një deklarate të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, sulmi ajror kishte në shënjestër dhe vrau Ibrahim Biari, të cilin e përshkroi si një nga komandantët e Hamasit përgjegjës për sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, i cili la mbi 1 400 të vdekur dhe qindra të marrë peng.

IDF tha gjithashtu se “shumë terroristë të tjerë të Hamasit” u goditën në sulm.

Hamasi megjithatë ka mohuar me forcë praninë e një prej liderëve të saj në kampin e refugjatëve.

Hazem Qassem, një zëdhënës i grupit militant, akuzoi Izraelin se po përpiqet të justifikojë atë që ai e përshkroi si një “krim të urryer kundër civilëve, fëmijëve dhe grave të sigurta në kampin e Jabalyas”.

Dëshmitari okular, Mohammad Al Aswad përshkroi një “skenë të tmerrshme” pas sulmit, duke i thënë CNN se ai vrapoi në kampin e refugjatëve për të kontrolluar familjen pasi dëgjoi të binin raketat.

”Fëmijët mbanin fëmijë të tjerë të lënduar dhe vraponin, me pluhurin gri që mbushte ajrin. Trupat ishin shtrirë në rrënoja, shumë prej tyre nuk njiheshin. Disa ishin të gjakosur dhe të tjerët ishin djegur”, tha Al Aswad për CNN me telefon.

”Pashë gra duke bërtitur dhe të hutuara. Ato nuk dinin nëse qanin për humbjen e fëmijëve apo të vraponin dhe t’i kërkonin, veçanërisht pasi shumë fëmijë luanin në lagje”, shton ai.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan një krater të madh mes rrënojave dhe ndërtesave të dëmtuara.

Palestinezët dhe punonjësit e shpëtimit janë parë duke u përpjekur për të gjetur viktima, disa duke përdorur duart e tyre për të hequr mbetjet.

Shifrat e viktimave nga sulmi ajror nuk janë ende të qarta dhe ndërprerja e komunikimit në Rrip e ka bërë të vështirë përcaktimin e shtrirjes së plotë të numrit.

Zyrtarët në Gazën e drejtuar nga Hamasi, si dhe mjekët që trajtuan viktimat, thonë se sulmi shkaktoi “qindra” vdekje dhe lëndime.

”Jabalia” është një kamp refugjatësh me popullsi të dendur i krijuar menjëherë pas luftës arabo-izraelite të vitit 1948, kur qindra mijëra palestinezë u larguan ose u dëbuan nga territori që përfshinte shtetin e sapokrijuar të Izraelit dhe më vonë iu mohua kthimi.

Kampi është një zonë e mbushur me njerëz, me shtëpi, dyqane dhe ndërtesa apartamentesh të bllokuara kundër njëra-tjetrës.

Gaza Jugore ka parë gjithashtu sulme ajrore vdekjeprurëse dhe organizatat e ndihmës kanë paralajmëruar vazhdimisht se nuk ka vend të sigurt në enklavën e izoluar.

Bombardimet e Izraelit në Gaza kanë vrarë të paktën 8 485 persona dhe kanë plagosur më shumë se 21 000, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Ramallah, e cila bazohet në informacione nga enklava e kontrolluar nga Hamasi.

Të mërkurën, dy firma palestineze të telekomunikacionit njoftuan ndërprerje të internetit dhe rrjetit të komunikimit në Gaza.

”Paltel” tha se kishte një “ndërprerje të plotë të të gjitha komunikimeve dhe shërbimeve të internetit në Rripin e Gazës”, ndërsa shërbimet e telefonisë celulare nga kompania e komunikimit ”Jawwal” gjithashtu ishin në funksion të ndërprerë, sipas një deklarate të kompanisë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like