Rekord golash për 2024-ën, Loftus-Çik: Dëmtimet na penalizuan, Milani i dënuar për sukses

by admin
Spread the love

Ruben Loftus-Çik është fytyra simbolike e merkatos së verës së Milanit, e cila po prodhon shifra shumë pozitive për sa i përket shënimit nëse marrim parasysh se nga 46 golat e shënuar në kampionat nga kuqezinjtë, 23 vijnë nga blerjet e reja (plus 12 asiste nga 36 në total).

Që nga fillimi i vitit 2024, asnjë mesfushor nuk ka shënuar më shumë gola se anglezi (4, si Zimon Zurkovski) mes mesfushorëve në pesë ligat kryesore europiane.

Numri 8 kuqezi është gjithashtu i vetmi në mesin e të njëjtit pozicion që ka gjetur rrjetën në të paktën tri ndeshje të ndryshme në këtë periudhë. Dopieta ndaj Bolonjës ishte e dyta në karrierën e tij: e mëparshmja daton në 2018 (Tripletë më Çelsin në Champions). Së fundmi, ai ka dhënë edhe disa deklarata në lidhje me paraqitjet e fundit.

Si është atmosfera në skuadër?

Jemi të zemëruar dhe të zhgënjyer, nuk duhet të pësojmë më përmbysje në pjesët e dyta. Ja që për fat të keq diçka e tillë ka ndodhur disa herë e nuk duhet të gabojmë më. Ndaj Frozinones u treguam të zotë duke e kthyer sfidën në anën tonë.

Në cilat aspekte duhet punuar në të tilla situata?

Ne do të përpiqemi të përmirësohemi në çdo aspekt. Ndaj Bolonjës donim të fitonim, por nuk ia dolëm. Teksa në ndeshjen e fundit ia dolëm. Me shokët e vendosëm zemrën në fushë, por ky është futbolli dhe mund të them gjithashtu ishim shumë të pafat.

Pas disa golave edhe dopieta e parë më fanellën e Milani. Si ndiheni?

E kam pritur këtë moment për një kohë të gjatë, jam i lumtur që shënova në “San Siro” pasi e bëra jashtë. Ndjesia ishte e pabesueshme, do të kisha dashur të fitoja, por fatkeqësisht nuk shkoi ashtu. Sidoqoftë, jam i bindur se do të kthejmë situatën në favorin tonë.

Sa ndikon roli në golat tuaj?

Po, edhe me Sarrin te Çelsi luajta më afër sulmuesit, kisha shënuar shumë gola dhe jam i lumtur që shënoj edhe këtu te Milani, ndihem shumë rehat në këtë pozicion sepse kam mundësi të futem shpesh në zonën e rreptësisë.

Ndoshta renditja nuk ishte ajo që donit, por individualisht jeni në moment të mirë …

Ndihem mirë, dy muajt e fundit kam pasur një dëmtim dhe nuk kam mundur të stërvitem rregullisht. Shpesh kam ndjerë edhe dhimbje. Tani ndihem mirë, stërvitem vazhdimisht. Uroj të bëjmë mirë edhe ndaj Napolit…

Sa shanse ka Milani për titullin?

Matematika na mban në lojë, por nuk duhet të ketë më hapa fals. Do të vijë një moment që do të duhet të bëjmë edhe ne bilancin tonë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

You may also like