Reforma territoriale, opozita prezanton raportin final: Të kthehet një ministri për Pushtetin Vendor

by admin
Spread the love

Komisioni për Reformën Territoriale është mbledhur në Kuvendin e Shqipërisë për të diskutuar që prej orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të hënë.

Pjesë e kësaj mbledhjeje janë ekspertët e opozitës që pritet të publikojnë variantin final me propozime.

Gjatë kësaj mbledhjeje Eksperti Agron Haxhimali tha se duhet të hiqen qarqet dhe të bëhen 6 ose 3 rajone. Po ashtu Haxhimali propozoi që të rikthehet një ministri për pushtetin vendor.

“Jemi përpjekur të bëjmë më të mirën për reformën. Analizat janë të përpunuara nga unë. Së pari propozoj politika gjithëpërfshirëse që i kanë ndjekur edhe vendet e tjera që kanë bërë reforma të tilla. Një përmbledhje e këtij raporti na tregon që Shqipëria ka shanse të mëdha të rrisë efikasitetin e shërbimeve te qytetarët, të rrisë pjesëmarrjen dhe vendimmarrjen, kjo arrihet me pak ndërhyrje. Krijimi i bashkive të reja rurale do të krijonte për këto zona mundësi më të mëdha, do kemi reduktim të pabarazisë mes zonave rurale dhe urbane. Një element I rëndësishëm është përmirësimi I demokracisë vendore përmes rritjes së përfaqësimit”.-tha ai.

Palët tashmë i kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre, ku PD me në krye Sali Berishën kërkon një zgjerim të njësive të qeverisjes vendore, me 95 bashki dhe 5 rajone, ndërsa grupi i deputetëve të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj kërkon 61 bashki dhe 6 rajone.

Ndërkohë që nga ana tjetër, Partia Socialiste qëndron tek varianti për të mbajtur ndarjen territoriale aktuale me 61 bashki. PS pranon të negociojë vetëm me grupin e Alibeajt dhe të pranojë zgjerimin me një numër të vogël bashkish. Reforma e re territoriale që pritet të kalojë në javët e ardhshme në Parlament nuk dihet nëse do të hyjë në fuqi në që në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

You may also like