Rama ndryshon qeverinë! Lëvizje në 7 ministri, 4 prurje të reja – Shqip

by admin
Spread the love

Diplomacia, Financat, Arsimi, Bujqësia e Shëndetësia janë dikasteret kyçe që do të kenë drejtues të rinj. Gjithsej janë shtatë poste ministrore që preken nga ndryshimet në qeveri, të cilat u bënë publike nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste.

“Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete. Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Ministër për Arsimin, Rininë dhe Sportin, Ogerta Manastirliu. Ministre e Bujqësisë, Anila Denaj. Ministre e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj. Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, duke mbajt parasysh se puna e bërë për standardet dhe shërbimet është futur në një shtrat dhe nga ana tjetër ne na ka dalë qartësisht në pah, qoftë me zgjedhjet e fundit vendore dhe me sfidat e mëdha të pushtetit vendor në këtë fazë të re të zhvillimit, qoftë me sa fola më parë, nevoja për një koordinim në kohë reale mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore, nuk do kemi më një Ministër Shteti për standardet dhe Shërbimet, do kemi  Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe këtë funksion të ri në qeveri do ta mbulojë Arbi Mazniku”.

Nga propozimet e paraqitura nga kryeministri, katër janë prurje të reja. Teksa shkrihet Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet dhe rikthehet ajo e Pushtetit Vendor, në të cilin kryeministri propozon nënkryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës.

Olta Xhaçka, Evis Kushi, Frida Krifca, Edona Bilali dhe Milva Ekonomi janë 5 gratë që nuk do të jenë më pjesë e kabinetit qeveritar.

Kryeministri Rama tha se këto ndryshime kanë për qëllim të sjellin më shumë energji dhe shpejtim të reformave, për realizimin e projektit Shqipëria 2030.

Veç ndryshimeve në qeveri, lideri i mazhorancës propozoi edhe emrat e rinj të sekretarëve të Partisë Socialiste.

“Sekretari i Organizimit, Ardjan Çela. Sekretar i Burimeve Njerëzore, Eduard Ndreca. Sekretare e Gruas, Evis Kushi. Sekretar Dixhital dhe i Rinisë, Etien Xhafa. Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë, Romina Kuko. Sekretar i Çështjeve Zgjedhore, Ardian Salianji. Sekretare e Programit, Milva Konomi”.

Ndryshimet në strukturën organizative të PS-së pritet të votohen në Kongresin e jashtëzakonshëm të socialistëve, ndërsa emrat e rinj të ministrave do t’i dërgohen nga kryeministri Edi Rama, presidentit Bajram Begaj të martën për t’u dekretuar.

Tv Klan


Ndryshimet në qeveri, kush largohet dhe kush emërohet

Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Emërohet Ervin Mete; Largohet Delina Ibrahimaj

Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit – Emërohet Delina Ibrahimaj; Largohet Edona Bilali

Ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale – Emërohet Albana Koçiu; Largohet Ogerta Manastirliu

Ministër i Arsimit dhe Sporti – Emërohet Ogerta Manastirliu; Largohet Evis Kushi

Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme – Emërohet Igli Hasani; Largohet Olta Xhaçka.

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit – Emërohet Anila Denaj; Largohet Frida Krifca

Ministër i Pushtetit Vendor (Ministri e re): Emërohet Arbjan Mazniku

Ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet (Shkrihet) – Largohet Milva Ekonomi

You may also like