Qyteti në Nikaragua, i famshëm për ‘shëruesit’ e tij shpirtërorë (fotot)

by admin
Spread the love

Qirinj ndriçojnë dhomën e vogël ku Gregorio Vargas shtron në tavolinë kartat e shikimit të fatit, si një nga mjetet e tij për shërimin e të këqijave dhe problemeve që i sjellin njerëzit, këtu në qytezën e Diriomo, e famshme për shëruesit e saj shpirtërorë.

Në zyrën e tij shikon shenjtorë, kryqe katolikë dhe përfaqësime të Changó, një hyjni afro-kubane e njohur gjithashtu si Santeria, të cilat ndihmojnë 52 vjeçarin Vargas, në punën e tij të shëruesit, ose siç njihen ata ne vend, “brujos”.

“Kam lindur me këtë aftësi që gjithashtu e kam mësuar nga nëna ime,” shpjegon burri i shëndoshë i cili ecën me paterica prej disa plagëve në gjunjët e tij.

Shëruesi punon në një shtëpi që ndryshon nga të tjerat në Diriomo vetëm prej imazhit të San Martín në fasadën e saj.

Brenda, një tabelë me shkronja të kuqe njofton: “Qendër Shpirtërore.”

Ndryshe nga Vargas, i cili specializohet te okultja e meditimi, ka shërues të tjerë që përdorin vetëm bimët për të shëruar problemet fizike e psikologjike, si një alternativë ndaj mjekësisë publike.

Besimi te këta shërues është një traditë popullore që i ka mbijetuar ndryshimeve politike Nikaragua, edhe pse Daniel Ortega ka lejuar prej vitit 2011 integrimin e mjekësisë natyrale e tradicionale në modelin formal.

Shëruesit ose shamanët e kulturave aborigjene të Mesoamerikës trajtojnë sëmundjet vetëm me bimë dhe shumë prej tyre ia atribuojnë gjendjeve të sëmura shpirtërore ose influencës së “shpirtrave”.

Ky vizion në Nikaragua e vende të tjera të Amerikës Latine përzien elemente të katolicizmit  të ardhur nga ‘konkuistadorët’ spanjollë, me elemente të besimeve të lashta animaliste vendore ose të sjella nga skllevërit afrikanë.

Vargas e shërues të tjerë e quajnë veten “doktorë shpirtërorë” teksa pranojnë se janë trashëgimtarë të dijeve të paraardhësve të lashtë që kishin qëllim vetëm të “bënin të mira” në ndihmë të doktorëve e shkencëtarëve.