Qeveria e re e Polonisë shkarkon krerët e TV shtetëror, të radios dhe prezantuesit e lajmeve

by admin
Spread the love

Lëvizja vjen pas akuzave për ‘raportime të njëanshme të lajmeve dhe për transmetim propagande’ kur partia ‘PiS’ ishte në pushtet.

Administrata e re e Polonisë e drejtuar nga ish-zyrtari evropian Donald Tusk, ka njoftuar se po shkarkon drejtorët e mediave shtetërore që konsideroheshin gjerësisht si ‘zërat e pushtetit’ gjatë tetë viteve që ishte në pushtet partia e djathtë Ligj e Drejtësi (PiS).

Largimet përfshinin krerët dhe bordet drejtuese të televizionit shtetëror, të radios e agjencive të lajmeve, njoftonte sot ministria e kulturës, duke cituar si argument nevojën e rivendosjes së paanshmërisë.

Koalicioni i ri i drejtuar nga Donald Tusk, është zotuar të mbajë premtimin e riformatimit të televizionit publik, të cilën tha se do ta bëjë me një rezolutë për rivendosjen e “paanshmërisë dhe besueshmërisë në median publike”.

Veprimet bënë që deputetët e PiS të bllokonin ndërtesat kryesore televizive duke qëndruar ulur. “Nuk ka demokraci pa pluralizëm të medias, apo pa media anti-qeveritare, dhe në Poloni kjo është media publike”, tha kreu i partisë PiS, Jarosław Kaczyński, nga hyrja e ndërtesës së televizionit publik.

Kaczyński ishte pjesë e protestës bashkë me ish-kryeministrin Mateusz Morawiecki i cili postonte në rrjetet sociale foto me punonjësit e shkarkuar të rrjetit publik.

“Ne duam të sigurohemi që ka rend publik në Poloni, dhe që të ketë media të lirë”, tha Marek Suski, një tjetër deputet i PiS teksa protesta vazhdonte./TheGuardian/