Putin i tërbuar ndaj Perëndimit në mesazhin e fundvitit: Përdor Ukrainën si mjet për shkatërrimin e Rusisë (fotot)

by admin
Spread the love

Në një mesazh mjaft agresiv fund-viti, presidenti rus Putin tha sot për popullin se nuk do të ketë kompromis në lidhje me Ukrainën, e cila sipas tij po përdorej nga vendet perëndimore si një mjet për të shkatërruar Rusinë.

Britanikja Daily Mail shkruante se 69 vjeçari Putin “dukej i trazuar e i konsumuar” teksa foli në televizion për 11 zonat kohore që përfshin vendi i tij.

Në mesazh ai vijonte të pretendonte se po luftonte nazistët në Ukrainë dhe se Perëndimi po e përdorte vendin e varfëruar si mjet për goditjen e Rusisë.

Teksa presidenti u kollit disa herë gjatë transmetimit, mesazhi vjen në një kohë kur bombardimet ruse dhe kundërpërgjigjet e Ukrainës vijojnë, në konfliktin që ka marrë më shumë se 100 000 jetë njerëzish, sipas raportimeve.

Teksa fliste me rreth 20 ushtarakë burra e gra në sfond, Putin mes të tjerash tha:

“2022 ishte një vit i vështirë, kemi marrë vendimet e duhura, hapa të rëndësishëm drejt sovranitetit të plotë të Federatës Ruse dhe konsolidimit të shoqërisë.”

“Ky vit ka vendosur gjërat në vend, duke ndarë kurajën e heroizmin nga tradhtia dhe frika”.

“Ne po luftojmë për të mbrojtur njerëzit tanë në territoret tona”,  shtoi më tej ai, duke bërë apel për unitet kundër armiqve perëndimorë.

“Gjëja kryesore është fati i Rusisë, por morali dhe e vërteta historike janë në anën tonë. Elitat perëndimore na kishin siguruar prej vitesh për qëllimet e tyre paqësore, duke përfshirë dhe zgjidhjen e konfliktit të vjetër në Donbas.

“Por ata gënjyen për paqen, sepse në fakt po përgatiteshin për agresion”, shtoi ai.

Putin dënoi sanksionet e vendosura nga Perëndimi në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina, me ndërrimin e pushtetit atje.

“Në atë vit ata në shpallën sanksionet e luftës dhe prisnin që Rusia të shkatërrohej, por kjo nuk ndodhi”.

“Ne kemi hapësirën tonë të sigurisë. Jemi kthyer në një shembull për shtete të tjera që luftojnë për një botë multipolare.”

Ai nxiti më tej rusët të qëndrojnë të bashkuar në vitin e ri që vjen, mes shenjave në rritje të disidencës atje.

“Tani është koha të lëmë grindjet dhe keqkuptimet, le t’i kujtojmë të dashurve sa e rëndësishme është të kujdesemi për njëri-tjetrin. Ne do të fitojmë dhe do të ecim përpara, për të mirën e Rusisë dhe famijeve tona, për të mirën e atdheut tonë”.