Pushteti korrupton dhe teori të tjera. Ku gabon psikologjia POP

by admin
Spread the love

Pushteti korrupton, turmat janë të dhunshme dhe depresioni është vetëm një çekuilibër kimik. Apo jo? Teoritë klasike të psikologjisë shpesh kanë një tingëllimë të këndshme, duke krijuar një mitologji që vazhdon në të gjithë median, kinemanë dhe letërsinë. Por studimet e reja po zbulojnë se mendja e njeriut nuk është aq e thjeshtë sa do të donim të mendonim

Kur shfaqen teori tërheqëse në fushën e psikologjisë, ato shpesh marrin vetë udhë. Mjaft të shikoni idenë që oksitocina është ‘hormoni i përqafimit’; kjo gjë rrok imagjinatën tonë, por studimet kanë treguar se oksitocina gjithashtu mund të rrisë ndjenjat e intolerancës dhe agresionit. Ne jemi të gjithë psikologë amatorë dhe fusha na ofron një mënyrë tërheqëse për të kuptuar emocionet dhe sjelljen tonë.  

Nëse mund të konfirmojë besimet tona për natyrën njerëzore, atëherë edhe më mirë. Por, ashtu si çdo shkencë, psikologjia është një proces i rrëmujshëm, i vazhdueshëm dhe shumë rezultate mbresëlënëse nuk janë përsëritur, ose janë shumë më me nuanca nga sa u pa në fillim. Kjo është një renditje e tetë ideve gjerësisht të besueshme të psikologjisë pop, që janë ndoshta të gabuara, ose të paktën tepër të thjeshtuara.

PUSHTETI KORRUPTON GJITHMONË

A e kemi të keqen brenda nesh, apo rrethanat na korruptojnë? Në vitin 1971, psikologu i Universitetit të Stanfordit, Philip Zimbardo, u përpoq të demonstronte fuqinë e mundshme të situatave dhe roleve shoqërore, në korruptimin e moralit individual. Duke parashikuar skenarët e ëndërruar nga TV Reality dekada më vonë, Zimbardo dhe kolegët krijuan një burg dhe rekrutuan 12 studentë meshkuj në kolegj, për të luajtur rolin e rojeve dhe 12 për të luajtur rolin e të burgosurve.  

Ideja ishte të studioheshin ndërveprimet e tyre për dy javë, por atyre iu desh të ndërprisnin ‘Eksperimentin e Burgut të Stanfordit’ pas vetëm gjashtë ditësh, të tilla ishin nivelet e mizorisë së shfaqur nga ‘rojet’ ndaj ‘të burgosurve’, duke përfshirë detyrimin për t’u pastruar tualetet me duar.

Për Zimbardon, mësimi tronditës ishte i qartë: situatat e fuqishme mund të mposhtin individualitetin tonë, duke i bërë njerëzit e mirë, të këqinj. Interpretimi i tij u shoqërua me idetë rreth rrënjëve të së keqes, me sa duket duke ndihmuar për të shpjeguar mizoritë e së kaluarës dhe të së ardhmes. Zimbardo më vonë do të përdorte kërkimin e tij ndërsa dëshmonte në mbrojtje të një prej rojeve amerikane të akuzuar për mizori ndaj të burgosurve në burgun e Abu Ghraib në Irak, në vitet 2003-2004.

Gjatë viteve, studimi i Zimbardos ka qenë subjekt i kritikave dhe riinterpretimeve intensive. Në vitin 2002, psikologët socialë britanikë Alex Haslam dhe Stephen Reicher kryen një eksperiment të ngjashëm të quajtur “BBC Prison Study”. Në versionin e tyre, të burgosurit u bashkuan dhe rrëzuan rojet, duke treguar se ngjarjet e eksperimentit të Stanfordit nuk ishin aspak të pashmangshme. Janë shfaqur edhe pamjet e Zimbardos – në rolin e ‘mbikëqyrësit të burgut’ – duke udhëzuar rojet e tij se si të sillen, gjë që duket se prish spontanitetin e ngjarjeve që shpalosen.  

Kohët e fundit, një regjistrim audio zbuloi një nga bashkëpunëtorët e Zimbardo-s, në rolin e ‘gardianit të burgut’, duke bindur një nga ‘gardianët’ që të sillej më mizorisht me të burgosurit. Ai i tha atij se, nëse do të bënte një punë mjaft të mirë, eksperimenti mund të çonte në reformën e burgjeve në jetën reale. Kritikët si Haslam thonë se regjistrimi tregon që studimi i Stanfordit ishte më shumë i ngjashëm me një formë teatri live, sesa një eksperiment shkencor. Zimbardo dhe mbrojtësit e tij kundërshtojnë duke shpjeguar që, pavarësisht nëse sadizmi i rojeve ishte i pashmangshëm apo jo, mesazhi i studimit qëndron – se, në rrethana të gabuara, njerëzit përndryshe “normalë” janë në gjendje të bëjnë mizori ekstreme.

FËMIJËT ME MË SHUMË VULLNET JANË MË TË SUKSESSHËM MË VONË NË JETË

Në vitet 1960, psikologu amerikan Walter Mischel filloi një seri eksperimentesh ikonike që përfshinin sfida.

Disa dhjetëra fëmijë të vegjël duhet të ulen vetëm me një ëmbëlsirë për rreth 15 minuta dhe duhet të rezistojnë ta hanë atë. Shpërblimi i tyre, nëse prisnin, ishte të hanin ëmbëlsirën e parë, plus një tjetër. Studiuesit ndoqën po këta fëmijë në vitet 1980 dhe 1990. Në atë kohë, ata ishin të rritur dhe zbuluan se fëmijët që kishin qenë të suksesshëm në këtë detyrë të ‘kënaqësisë së vonuar’, më pas kishin ecur më mirë në jetë, për sa i përket rezultateve të provimeve dhe shmangies së telasheve. Rezultatet dukej se sugjeronin se nëse mund t’i mësojmë fëmijët që të kenë vullnet më të fortë, ata do të kenë avantazhe më vonë në jetë.

Megjithatë, psikologët në Universitetin e Nju Jorkut dhe Universitetin e Kalifornisë, Irvine, bënë përpjekjen e parë të përsëritjes së studimit të ëmbëlsirës në vitin 2018, por këtë herë duke përdorur të dhëna nga qindra fëmijë. Ndryshe nga studimi origjinal, Tyler Watts dhe kolegët e tij kontrolluan gjithashtu një mori variablash sociale dhe të situatave, të tilla si arsimi i prindërve dhe sa të përgjegjshëm ishin prindërit ndaj fëmijëve të tyre. Ekipi zbuloi se korrelacioni midis vonesës së kënaqësisë dhe suksesit të mëvonshëm (në këtë rast në adoleshencë), ishte shumë më i dobët sesa në studimin origjinal. Për më tepër, korrelacionet u bënë statistikisht jo të rëndësishme, kur studiuesit faktorizuan në variablat sociale dhe familjare.

Interpretimi i Watts dhe kolegëve të tij ishte se aftësia e një fëmije për t’i rezistuar ëmbëlsirave, ka më pak të bëjë me vullnetin e tyre të natyrshëm. Më shumë kishte të bënte me rrethanat e tyre familjare – për shembull, nëse fëmija kishte mësuar të besonte kur i premtoheshin shpërblime më të mëdha në të ardhmen apo jo. Kjo përkon me një studim tjetër, sipas të cilit të rriturit ia dalin me objektivat e tyre përmes planifikimit paraprak dhe mangies së tundimit, dhe jo përmes vullnetit brutal.

TURMAT I BËJNË NJERËZIT TË PAMEND DHE TË DHUNSHËM

Tregimet në media për trazirat shpesh nënkuptojnë se një mentalitet i turmës ka dominuar. Raporte të tilla pasqyrojnë një besim të përhapur se kur grupe të mëdha njerëzish mblidhen së bashku, njerëzit humbasin moralin dhe turbullohen me turmën. Në mënyrë të ngjashme, raportet e gazetave për katastrofat shpesh përshkruajnë turmat sikur të jenë të pamend, me raportime për ‘stampeda’ dhe panik të verbër.

Realiteti, sipas shumë psikologëve socialë bashkëkohorë, është se ka logjikë dhe qëllim për shumë sjellje të turmës. Dhuna nuk është aspak e pashmangshme kur grumbullohen grupe të mëdha – shikoni vetëpërmbajtjen e treguar nga ana e marshuesve amerikanë për të drejtat civile në vitet 1960. Edhe në rastin e rebelëve, megjithëse shpesh mund të jenë të dhunshëm dhe shkatërrues, ata zakonisht kanë një qëllim të përbashkët dhe një ndjenjë të qartë identiteti. Për shembull, gjatë trazirave angleze të vitit 2011, dëmi u drejtua kryesisht ndaj objekteve që shiheshin si simbole të pabarazisë, siç janë dyqanet me çmime të larta. Gjithashtu, nuk ndodhi që kushdo që i shihte trazirat në televizion ose i haste në rrugë, të bashkohej si zombie me ‘turmën’. Në vend të kësaj, njerëzit ishin shumë më të prirur për t’u bashkuar në lagjet ku tashmë kishte një ndjenjë të fortë të mohimit të të drejtave.

Është një histori e ngjashme për turmat në raste emergjente. Analiza e ngjarjeve të jetës reale, si fatkeqësia e Hillsborough e 1989-ës dhe mbipopullimi në një koncert në plazhin e Brighton në 2002, sugjerojnë se paniku i verbër është i rrallë dhe se njerëzit shpesh ndalojnë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Kjo sjellje altruiste është ndoshta për shkak të ndjenjës së bashkimit që krijohet, teksa grupe të huajsh kalojnë një përvojë të përbashkët.

TË PARËLINDURIT JANË UDHËHEQËS TË LINDUR

Çfarë kanë të përbashkët Emmanuel Macron, Angela Merkel dhe Boris Johnson? Po Jeff Bezos dhe Elon Musk? Ata janë të gjithë më të mëdhenjtë midis vëllezërve dhe motrave të tyre – duke ofruar dëshmi anekdotike, për të mbështetur idenë popullore se të parëlindurit kanë personalitete të dallueshme që i ndihmojnë të bëhen udhëheqës. Ky arsyetim ka një tërheqje logjike – në fund të fundit, fëmija më i madh gëzon vëmendjen e pandarë të prindërve për një kohë, deri kur lindin fëmijët e tjerë.

Sidoqoftë, provat kryesisht nuk e mbështesin atë teori popullore. Në vitin 2015, kur psikologët analizuan me kujdes tiparet e personalitetit të qindra-mijëra njerëzve dhe më pas i lidhën ato me rendin e lindjes së njerëzve në familjen e tyre, nuk u gjetën lidhje të qarta. Një studim i mëvonshëm suedez zbuloi se të parëlindurit kishin më shumë gjasa të përfundonin në role udhëheqëse, por korrelacioni ishte i dobët. Nëse ka një lidhje, atëherë ndoshta ka të bëjë më shumë me mundësinë sesa me aftësinë, si për shembull të qenit personi i zgjedhur për të marrë përsipër biznesin familjar.

DEPRESIONI NDODH PËR SHKAK TË NJË ÇEKUILIBRIMI KIMIK

Ilaçet më të përdorura kundër depresionit rrisin disponueshmërinë në tru të një kimikati të quajtur serotonin. Cilatdo qofshin të drejtat dhe gabimet e ilaçeve (disa i vlerësojnë ilaçet për shpëtimin e jetës së tyre, ndërkohë që kritikët kanë frikë nga mjekimi i tepruar i problemeve emocionale që kanë rrënjë komplekse), përdorimi në rritje i tyre ka ushqyer nocionin se depresioni shkaktohet nga një lloj çekuilibri kimik në tru, që kërkon korrigjim.

Realiteti është se shumica e psikiatërve besojnë që ideja e çekuilibrit kimik është një mbithjeshtëzim. Një pjesë e problemit është se bazohet në logjikë të gabuar. Vetëm fakti që këto barna rrisin nivelet e serotoninës, kjo nuk do të thotë se mungesa e serotoninës është shkaku i depresionit (në fund të fundit, mungesa e paracetamolit nuk shkakton dhimbje koke). Përtej kësaj, studimi pas vdekjes nuk ka arritur të tregojë se njerëzit me depresion kanë nivele më të ulëta të serotoninës dhe studimet që kanë ulur artificialisht nivelet e serotoninës së njerëzve, nuk kanë shkaktuar depresion. E vërteta është se asnjë psikiatër apo neuroshkencëtar nuk mund të thotë sinqerisht se cilat duhet të jenë nivelet e shëndetshme ose korrekte të kimikateve të trurit.

Shumë aktivistë të shëndetit mendor kanë përqafuar idenë e çekuilibrit kimik, duke besuar se kjo do të ndihmojë në uljen e stigmës, duke treguar se depresioni ka një shkak të qartë fizik. Por fatkeqësisht, shpjegimet biologjike të sëmundjes mendore duket se kanë rritur stigmën, ndoshta sepse i bëjnë njerëzit të perceptojnë gjendjen e shëndetit mendor si më thelbësore për të sëmurin, dhe më të vështirë për t’u trajtuar.

NE TË GJITHË KEMI NJË STIL TË PREFERUAR TË TË MËSUARIT

A e keni më të lehtë të mësoni duke lexuar një artikull, apo duke dëgjuar një podcast? Ndoshta preferoni imazhet në vend të tekstit? Sondazhet sugjerojnë se shumica prej nesh besojnë që kemi një “stil të të mësuarit” të preferuar, qoftë ai pamor, dëgjimor, kinetik (të mësosh duke bërë) apo diçka tjetër. Edhe shumica e mësuesve e besojnë. Në fakt, një industri e tërë është krijuar rreth gjetjes së mënyrave për të matur stilet e të mësuarit të njerëzve dhe udhëzimit të mësuesve, se si t’u mësojnë atyre stile të ndryshme. Sidoqoftë, ky është ndoshta shembulli më i qartë, ku urtësia popullore përplaset me shkencën psikologjike. Herë pas here, studimet e kontrolluara me kujdes nuk kanë arritur të gjejnë prova për të mbështetur qasjen e ‘stileve të të mësuarit’.

Shumica e studimeve në këtë fushë ndjekin një format të ngjashëm – vullnetarët raportojnë stilin e tyre të preferuar të të mësuarit, dhe më pas disa prej tyre prezantohen me materiale në modalitetin e tyre të preferuar, ndërsa të tjerë jo. Më pas vjen një provë. Pothuajse çdo studim ka zbuluar se ata që mësojnë sipas stilit të tyre të preferuar nuk performojnë më mirë se një grup që nuk ka mësuar sipas preferencës së vet. Për më tepër, pjesëmarrësit rrallë tregojnë shumë njohuri për stilin e tyre të preferuar të të mësuarit – performanca e tyre është shpesh më e mirë në metodat e tyre jo të favorizuara.

Kritikët e stileve të të nxënit theksojnë se mënyra optimale për të mësuar shpesh varet nga natyra e temës, jo nga preferencat e studentëve. Të tjerë thonë se edhe nëse keni një dobësi në të mësuarit e një mënyre të caktuar, është më mirë nëse mësuesit ju ndihmojnë të përmirësoheni në atë fushë, në vend që ta shmangni atë.

BUZËQESHJA DO JU BËJË TË NDJEHENI MË TË LUMTUR

Rrënjët e kësaj ideje datojnë që nga hipoteza e “feedback-ut të fytyrës”, e Çarls Darvinit, e cila sugjeron që shprehja e jashtme e emocioneve mund të japë reagime dhe të ndikojë në ndjenjat tona. Filozofi dhe psikologu i shquar i shekullit të 19-të, William James, propozoi një ide të ngjashme – se janë ndryshimet fizike të lidhura me frikën që të bëjnë të ndihesh i frikësuar, dhe jo e anasjellta.

Këto teori frymëzuan një ‘klasik modern’ të psikologjisë, botuar në vitin 1988. Studiuesit e udhëhequr nga psikologu Fritz Strack u kërkuan vullnetarëve të shikonin filma vizatimorë, ose duke mbajtur një stilolaps midis dhëmbëve, duke imponuar kështu një buzëqeshje, ose me stilolaps midis buzëve, duke imponuar një vrenjtje. Buzëqeshësit i panë karikaturat më qesharake, duke sugjeruar se thjesht akti i buzëqeshjes mund të ketë një efekt pozitiv mbi ndjenjat. Ky rezultat, dhe ndryshimet e mëvonshme, shpejt i shtynë autorët e ndihmës vetiake të propozojnë që ju të mund të buzëqeshni, për hir të lumturisë më të madhe.

Por në vitin 2016, një kolektiv prej 17 laboratorësh të veçantë kërkimor rekrutuan afro 2000 pjesëmarrës, në një përpjekje për të përsëritur studimin vizatimor. Gjetjet ishin jokonsistente nëpër laboratorë, dhe kur ato u grumbulluan së bashku, rezultati ishte negativ – buzëqeshësit nuk ishin më të kënaqur se sa të vrenjturit.

Megjithatë, mund të jetë e parakohshme të fshihet teoria e reagimit të fytyrës. Strack vuri në dukje se përsëritjet moderne i filmonin pjesëmarrësit, ndërsa ai jo, gjë që mund të kishte ndërhyrë në rezultatet, ndoshta duke i bërë pjesëmarrësit të vetëdijshëm. Gjithashtu, gjetjet e tjera të hulumtimit, të tilla si ato që përfshijnë pacientët me Botox, janë në përputhje me hipotezën e reagimit të fytyrës. Trajtimi me Botox ndërhyn në shprehjet e fytyrës dhe ata që e kanë bërë atë, duket se përjetojnë emocione ndryshe nga vullnetarët e tjerë.

OKSITOCINA ËSHTË HORMONI I PËRQAFIMIT

Mediat popullore entuziazmohen për oksitocinën, e cilësuar shpesh si “hormoni i dashurisë”, veçanërisht rreth Ditës së Shën Valentinit. Është absolutisht e vërtetë që ky kimikat lëshohet në tru kur gratë lindin dhe ushqejnë me gji, dhe gjithashtu kur njerëzit përqafohen dhe bëjnë seks. Kishte gjithashtu studime të kryera në fillim të viteve 2000 që sugjeronin se nuhatja e oksitocinës i bën njerëzit më të besueshëm, bujarë dhe më të ndjeshëm ndaj të tjerëve. Më pas, molekula është konsideruar si një ndërhyrje zbuluese për gjendje të ndryshme, nga autizmi deri te skizofrenia.

Nëse gjithçka tingëllon shumë e mirë për të qenë e vërtetë, kjo ndodh sepse është.  Hulumtime më të fundit kanë vënë në pikëpyetje ato gjetje të hershme mbi efektet e kimikatit, si duke dështuar në përsëritjen e tyre, dhe duke treguar një pamje më me nuanca. Për shembull, ndërsa oksitocina mund të rrisë ndjenjat e lidhjes me miqtë dhe familjen, ajo gjithashtu mund të mprehë mospëlqimin për të huajt. Madje mund të rrisë agresionin tek ata me prirje të dhunshme. Me pak fjalë, oksitocina është padyshim një kimikat intrigues, por është shumë më tepër se një hormon përqafimi. / BBC Earth – Bota.al

You may also like