Pse studentët grekë flakëruan Athinën? – Shqip

by admin
Spread the love

Studentët grekë hodhën kokteje molotov ndaj policisë që u përgjigj me gaz lotsjellës në qendër të Athinës të premten, disa orë përpara se parlamenti të miratonte një ligj që lejonte universitetet e huaja private të ngrenë degë në vend.

Mijëra studentë kanë protestuar në mënyrë paqësore për javë të tëra kundër një reforme në arsim, që ata thonë se do të ulë vlerën e diplomave të fituara në universitetet publike, por disa nuk mund ta përmbajnë më zemërimin e tyre kur kryeministri Kyriakos Mitsotakis u bëri thirrje ligjvënësve të pranojnë ligjin.

“Kam frikë se nëse arrijmë të diplomojmë, nuk do të mund të gjejmë punë askund”, tha 25-vjeçari Stratos Kacelis.

“Asnjë i ri sot nuk mund të planifikojë për të ardhmen. Gjithçka që shohim janë situata të pashpresa”, shtoi ai.

Mitsotakis, i cili fitoi një mandat të dytë qershorin e kaluar, tha se ligji do të ndihmonte në frenimin e eksodit të dhjetëra mijëra studentëve grekë që shkojnë jashtë vendit për të studiuar, një barrë për një ekonomi që ende po rimëkëmbet nga një krizë financiare 10-vjeçare.

Ligji do të ndihmojë gjithashtu përafrimin e Greqisë me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian dhe inkurajimin e konkurrencës në arsimin e lartë, tha ai.

Greqia shpenzon çdo vit midis tre dhe katër për qind të PBB-së së saj për arsimin, që është nën mesataren e Bashkimit Evropian. Megjithatë, Mitotakis tha se ligji përfshin më shumë fonde për universitetet shtetërore. /tesheshi.com/

You may also like