Pse fëmijët e dhunuar janë të shkëputur emocionalisht nga të tjerët në moshë madhore?

by admin
Spread the love

Njerëzit që kanë përjetuar keqtrajtim fizik në fëmijëri, kanë më shumë gjasa të preken nga aleksitimia në moshë madhore. Në këtë përfundim ka arritur një studimi të ri të botuar këtë muaj në revistën “Psychological Bulletin”, që u përpoq të kuptonte ndikimin afatgjatë social dhe emocional që mund të ketë përjetimi i keqtrajtimit në fëmijëri. Hulumtimi ishte një përpjekje e përbashkët midis shkencëtarëve në Universitetin Hebraik të Jerusalemit në Izrael dhe Universitetit të Stenfordit në Kaliforni.

Po çfarë është “aleksitimia”?

Aleksitimia është një tipar i personalitetit që dikur konsiderohej një çrregullim mendor. Ajo i pengon individët të jenë në gjendje të identifikojnë mënyrën se si ndihen. Njerëzit me këtë sindromë, mund të zbulojnë gjithashtu se përjetojnë siklet fizik kur bëhen emocionalë, por nuk mund ta identifikojnë dot burimin e shqetësimit.

Njerëzit me aleksitimi, ka të ngjarë të hasin shumë vështirësi në situata sociale të ndryshme, pasi shpeshherë atyre u mungojnë shenjat sociale, ose e kanë të vështirë të identifikojnë apo kuptuar ndjenjat e njerëzve të tjerë dhe të vetes. “1 në 4 fëmijë në mbarë botën keqtrajtohet, por shpesh kjo dukuri nuk njihet”- thotë Xhulia Dicer, autorja kryesore e studimit.

10 për qind e popullsisë së përgjithshme kanë nivele klinike të rëndësishme të aleksitimisë. Ajo është më e dukshme tek meshkujt, me një normë prej 17 për qind krahasuar me përqindjen e femrave prej 10 për qind. Aleksitimia shoqërohet me një sërë kushtesh të tjera si autizmi, depresioni dhe skizofrenia.

Ndikimi afatgjatë i përjetimit të keqtrajtimit në fëmijëri

“Ne zbuluam se abuzimi emocional gjatë fëmijërisë, si dhe neglizhenca emocionale dhe fizike, ishin parashikuesit më të fortë të aleksitimisë së të rriturve. Tani mund të themi me më shumë besim se këto dukuri – keqtrajtimi i fëmijëve dhe aleksitimia – janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën”- thotë Anat Talmon, bashkautori i vjetër i studimit.

Në Shtetet e Bashkuara, 656.000 fëmijë përjetuan keqtrajtim vetëm gjatë vitit 2019. Në nivel global, besohet se 1 në 4 fëmijë përjetojnë keqtrajtim emocional ose fizik. Studiuesit identifikuan 5 lloje të keqtrajtimit në fëmijëri, duke nxjerrë në pah dallimet midis abuzimit dhe neglizhencës, edhe pse ato nuk kishin të njëjtat gjasa për të nxitur aleksitiminë tek një i rritur.

Llojet e keqtrajtimit u kategorizuan në neglizhencë emocionale, abuzim emocional, neglizhencë fizike, abuzim fizik dhe abuzim seksual. Studiuesit e përkufizuan neglizhencën emocionale si dështimin e përmbushjes së nevojave emocionale të një fëmije si siguria dhe rehatia.

Ndërsa abuzimi emocional u përkufizua si rasti i kujdestarëve që nënçmojnë në mënyrë aktive fëmijët, ose i bëjnë ata përgjegjës për problemet e të rriturve. Po kështu, neglizhenca fizike përkufizohej si mosplotësim i nevojave fizike të fëmijës si ushqimi, ndërsa abuzimi fizik u përkufizua si shkaktim aktiv i dëmtimit fizik ndaj fëmijës.

Gratë që morën pjesë në studim, kishin më shumë gjasa ta identifikonin veten si viktimë e neglizhencës emocionale dhe aleksitimisë së përgjithshme. Të rriturit që përjetuan abuzim fizik dhe abuzim seksual si fëmijë, kishin më shumë gjasa të përjetonin aleksitiminë si të rritur në krahasim me ata që kishin vuajtur nga llojet e tjera të abuzimit.

“Kur dikush abuzohet seksualisht ose fizikisht, ai ose ajo shpesh e di në një masë të caktuar, se diçka nuk është në rregull”- shpjegoi Talmon. Sipas tij neglizhenca ishte më e vështirë për t’u identifikuar ndaj viktimat kishin më pak gjasa të kërkonin ndihmë.

 “Neglizhimi dhe abuzimi emocional, janë përvoja tejet shkatërruese për një fëmijë. Askush nuk i plotëson nevojat e tij emocionale, teksa i mungon aftësia për të identifikuar dhe njohur emocionet vetjake, dhe kjo rrit gjasat për të zhvilluar aleksitiminë”-thotë Talmon.

Është e rëndësishme të theksohet se jo çdo fëmijë që përjeton keqtrajtim, do të përjetojë aleksitimi në moshë madhore. Fëmijët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj abuzimit dhe neglizhencës. Disa reagojnë në mënyrë agresive, ndërsa të tjerët shkëputen emocionalisht nga shoqëria.

“Këta fëmijë mund të thonë:Nuk më intereson asgjë tjetër, unë thjesht po mbijetoj. Ata nuk e dinë se çfarë duan, pasi nuk e dinë se cili është zëri i tyre i brendshëm dhe vullneti i tyre i vërtetë. Studiuesit e përkufizuan shkëputjen emocionale si një proces në të cilin individi shkëputet nga sjelljet, mendimet, kujtimet dhe ndjenjat”- përfundon Talmon. / Jerusalem Post – Bota.al

You may also like