Proton Cable Prizreni mbetet në Superligë

by admin
Spread the love

Proton Cable Prizreni edhe edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në basketboll.

Të martën, Prizreni e ka konfirmuar qëndrimin në elitë pasi e ka fituar edhe ndeshjen e dytë të plejautit kundër ekipit New Basket.

Duelin e dytë, Prizreni e fitoi me rezultatin e thellë  107:67, kurse në të parin kishte triumfuar me shifrat 116:93. Proton Cable Prizreni që ishte vendas në ndeshjen e dytë, ka dominuar në tërësi duke i fituar të gjithë çerekët.

Amerikanët Montaviuos Murphy dhe Isiah Kelly ishin më efikasit te Prizreni pasi ndeshjen e përfunduan me “double-double”. Murphy pati 30 pikë e 10 kërcime, ndërsa Kelly shtoi 15 pikë e 12 kërcime. Te New Basketi, Rilind Krasniqi ishte më i dalluari me 21 pikë e 9 kërcime.

Për Proton Cable Prizrenin, ky është edicioni i dytë rresht që luan në plejaut për të mbetur pjesë e elitës së basketbollit kosovar.

Prizreni është pjesë e Superligës prej edicionit 2018/19 ndërsa në vitin 2021 e ka fituar Superkupën e Kosovës.

Këtë edicion, Prizreni përfundoi i parafundit në stinorin e rregullt, ndërsa New Basketi ishte finalist i Ligës së Parë.

You may also like