Protestë para Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për rastin me Klinikën për onkologji

by admin
Spread the love

Me porosi “Drejtësi për viktimat” edhe sonte para Qeverisë u mbajt protestë për rastin me Klinikën për onkologji, e cila përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë. Organizatorët e protestës theksuan se nuk është përmbushur ultimatumi nga java e kaluar, respektivisht Prokuroria publike nuk i ka publikuar të gjitha hollësirat për vijimin e hetimit për skandalin në Onkologji.

Organizatorët paralajmëruan se do të vazhdojnë të protestojnë para ndërtesës qeveritare çdo të hënë në ora 18 dhe bënë me dije se nëse institucionet kompetente nuk ndërmarrin asgjë, nëse nuk ka kurrfarë epilogu për këtë rast deri 1 nëntor, atëherë do të kërkojnë presion nga bashkësia ndërkombëtare që të gjitha hollësirat rreth ngjarjeve në Onkologji të bëhen publike.

Protestuesit sonte kanë parashtruar gjashtë ultimatume të reja: Hetim për involvimin e ish ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ish drejtorit të Onkologjisë, Nino Vasev; Zgjerimin e hetimit në punën e Onkologjisë për fëmijë; Revizion i plotë në punën e Klinikës për onkologji; Aktgjykime të plotëfuqishme gjyqësore për të gjithë të involvuarit në krimin në Onkologji; Publikimin e informatave nga hetimi për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë dhe Përgjegjësi nga PP, e cila ka vendosur se nuk ka vepra penale në rastin tragjik me Janën e vogël nga Manastiri.

Përveç për ngjarjet në Onkologji, qytetarët reaguan edhe për ngjarjet tjera, siç janë ndryshimet e Kodit penal, për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, për Janën e vogël nga Manastiri dhe për fatkeqësinë tragjike të autobusit në Bullgari.

Ndryshe, Prokuroria publike të premten ka ngritur akuzë për “mashtrim” kundër infermieres nga Klinika për onkologji, e cila ka vjedhur citostate. E dyshuara nuk është e kapshme për organet e rendit.

“Prokuroria Publike kundër saj ka ngritur dy aktakuza për vepra penale – “mashtrim” në shërbim nga neni 354 nga Kodi penal. Gjatë procedurës së mëparshme, Prokuroria ka ofruar prova se e akuzuara, me qëllim të përfitimit të paligjshëm për vete, ka përvetësuar një numër të madh të ampulave me qëllime të ndryshme në vlerë të përgjithshme prej 59.760 denarëve që i janë besuar në shërbim. Ampulat i ka nxjerrë nga vendi i punës, e më pas i ka lënë në veturë me qëllim që t’ia dorëzojë një personi tjetër”, sqarojnë nga Prokuroria për MIA-n.

Drejtoresha mjekësore e Klinikës universitare për onkologji dhe radioterapi, Violeta Klisarovska në fillim të këtij muaji informoi se infermierja është kapur në tentim të përsëritur për vjedhje dhe se është larguar nga puna. Në pyetjen e gazetarëve se çfarë kompetencash kishte e pushuara nga puna, drejtoresha u përgjigj se ajo ishte infermiere në spitalin ditor dhe nuk ka qenë e lidhur drejtpërdrejtë me përgatitjen e ilaçeve.

 

MARKETING




You may also like