Protesta s’ka të bëjë fare me Kurtin, do të protestonim edhe po të mos ishte ai kryeministër

by admin
Spread the love

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) sot gjatë ditës ka mbajtur protestë ku i ka paraqitur Qeverisë së Kosovës gjashtë kërkesa.

Kryetari i BSPK-së, Ali Gashi, ka thënë se protestën e sotme e kanë cilësuar si ‘paralajmëruese’ dhe ka pasë numër të kufizuar të sindikalistëve pjesëmarrës duke shtuar se i kanë dhënë mundësi ekzekutivit që t’i diskutojnë së bashku krejt kërkesat e tyre.

“BSPK si sponsorizues i kësaj proteste i ka ftuar të gjitha federatat të cilat janë në kuadër të saj dhe të gjitha federatat kanë marrë pjesë me numër të kufizuar, pasi që ka qenë vendim i përbashkët. Presioni dhe kërkesa e anëtarësisë ka qenë jashtëzakonisht shumë e madhe, por është praktikë dhe kulturë sindikaliste që vendimet që merren në kryesinë e BSPK-së të respektohen. Kjo është edhe arsyeja që e kemi quajtur protestë paralajmëruese duke i dhënë mundësi qeverisë për një reflektim dhe për të na dhënë mundësi që të ulemi dhe t’i bisedojmë të gjitha kërkesat të cilat, thënë të vërtetën, janë të kahmotshme”.

Gashi, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, ka thënë se kjo protestë nuk ka karakter politik dhe nuk ka të bëjë me kryeministrin Albin Kurti. Madje, ai tha se do të protestonin njëjtë kushdo pa marrë parasysh kush do të ishte kryeministër.

“Qeveria e Kosovës është institucion dhe s’ka fare rëndësi se kush e udhëheq atë institucion. Nuk ka të bëjë fare me kryeministrin Albin Kurti e as me emrin e përveçëm. Që prej pas luftës e këndej sindikatat kanë reaguar me protesta dhe greva që kanë qenë deri në tri javë. Tendenca për t’i dhënë karakter politik apo për t’i prezantuar se këto protesta janë drejtuar kundër kryeministrit Albin Kurti nuk qëndrojnë dhe këtë e them me përgjegjësi, pasi ne jemi dhe kërkojmë nga qeveria dhe kryeministri që të ulemi dhe të bisedojmë. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës, është zbatues i legjislacionit dhe ka plotësisht të drejtë të ulet dhe të bëjë zgjidhje të cilat do të ishin të pranueshme për palët. Nuk ka fare rëndësi a është apo jo Albin Kurti, sepse edhe po të mos ishte Albin Kurti ju siguroj që kjo protestë do të ndodhte, në rast se do të vinte te një injorim siç është tani”.

You may also like