Prokurori i Përgjithshëm i del në mbrojtje Prokurorit të Posaçëm që paditi ish-Presidentin Trump

by admin
Spread the love

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland i doli në mbrojtje të mërkurën prokurorit të posaçëm, Jack Smith, të emëruar prej vetë atij në këtë cilësi për të mbikqyrur disa prej hetimeve penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Zoti Trump e ka sulmuar vazhdimisht zotin Smith me postimet e tij në mediat sociale. Ai e ka quajtur atë “bandit” e “të çmendur”, gjë e bëri edhe të martën, kur ai u paraqit para një gjykate në Majami, përballja e parë me 37 akuzat penale federale të ngritura ndaj tij.

Ish-Presidenti Trump akuzohet për mbajtje të qëllimtë të dokumeteve sekrete e për konspiracion për t’i fshehur ato. Ai i ka hedhur poshtë akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.

“Siç thashë edhe kur emërova zotin Smith, e bëra këtë sepse kjo nënvizon angazhimin e Departamentit të Drejtësisë si për pavarësinë ashtu edhe llogaridhënie”, u tha zoti Garland, zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit, gazetarëve në Departamentin e Drejtësisë.

“Zoti Smith është një prokuror veteran karriere”, tha zoti Garland. “Ai ka mbledhur një grup prokurorësh me përvojë e të talentuar, që ndajnë të njëjtin angazhim sikurse edhe ai, për integritet dhe sundim të ligjit”.

Kjo shënoi herën e parë që zoti Garland i doli publikisht në mbrojtje zotit Smith që kur një juri e madhe federale votoi pro ngritjes së akuzave ndaj zotit Trump javën e kaluar, duke shënuar herën e parë në historinë e vendit, që një ish-president përballet me padi federale.

Mbi këtë çështje nuk është caktuar ende një datë për procesin gjyqësor. Gjasat janë që ai të nisë në gjysmën e parë të vitit 2024, kohë që përkon dhe me periudhën kur brenda partisë republikane zhvillohet gara për të zgjedhur kandidaturën zyrtare për zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024.

Zoti Trump është paditur gjithashtu dhe nga një prokuror i Nju Jorkut. Ai akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit me synimin për të fshehur një pagesë, bërë aktores së filma pornografike Stormy Daniels, për të siguruar heshtjen e saj, për një marrëdhënie që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump. Pagesa u bë pak përpara fushatës së zgjedhjeve të vitit 2016, vit kur zoti Trump u zgjodh president.

Prokurori i Posaçëm Smith po heton gjithashtu rolin e zotit Trump në përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që u fituan nga Presidenti Joe Biden. Një prokuror në Xhorxhia po heton gjithashtu përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet.

Ish-Presidentit Trump i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke i quajtur ato një “gjueti shtrigash” që synon të ndalë ambiciet e tij për t’u bërë sërish president.

Në garën brenda partisë zoti Trump vazhdon të dominojë me një avantazh të theksuar krahasuar me kandidatët e tjerë.

Me daljen e padisë së parë penale të ngritur kundër zotit Trump, disa ligjvënës republikanë, mes tyre rivalë brenda partisë në garën për president, akuzuan Departamentin e Drejtësisë për sulm politik e injorim të shkeljeve të dyshuara të kryera nga politikanë demokratë.

Por me daljen e aktakuzës federale shumë republikanë kanë patur qëndrime më të përmbajtura.

Mike Pence, që ka shërbyer si nënpresident në administratën Trump, e që gjithashtu kandidon për president, tha për gazetën ‘Wall Street Journal’ se: “Akuzat janë shumë serioze. Dhe unë nuk mund ta mbroj atë çka pretendohet. Por presidenti (Trump) ka të drejtë të mbrohet dhe unë nuk dua të jap mendimin tim derisa ai t’u përgjigjet këtyre akuzave”./VOA


Top Channel

You may also like