Projektligji për financimin e partive e Rregullorja e Kuvendit, dy arritjet e legjislativit

by admin
Spread the love

Tre legjislatura u deshën të kalojnë që
projektligji për financimin e subjekteve politike të miratohet në Kuvendin e
Kosovës. Ndonëse u përkrah nga shoqëria civile, kritika kanë për dy partitë
opozitare, PDK dhe LDK, të cilët nuk morën pjesë në votim, raporton Ekonomia
Online.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i
Kosovës thotë se kjo është hera e tretë, përkatësisht legjislatura e tretë me
radhë, që ky projektligj kalon nëpër procedurë ligjvënëse në parlament.

Ai ka kritikuar dy partitë opozitare, PDK dhe
LDK për mospjesëmarrje në votim. Madje thotë se projektligji është dashur të
përkrahet nga LDK-ja, e cila e kishte sjellë të njëjtin në kohën sa
kryeministër ishte Avdullah Hoti.

“Fatmirësisht në legjislaturën e tretë është
miratuar më në fund projektligji për financimin e subjekteve politike, ndonëse
do duhej që ky projektligj të reflektojë një konsensus më të gjerë politik, pra
që edhe partitë tjera opozitare PDK dhe LDK, të marrin pjesë në votim dhe ta
miratojnë, duke e ditur që këto dy parti politike, e në veçanti Lidhja
Demokratike e Kosovës, ka qenë në një rast iniciuese dhe është ajo që e ka
sjellë këtë projektligj në Kuvend, përkatësisht gjatë legjislaturës së kaluar,
në kohën kur ish-kryeministri Avdullah Hoti e kishte sjellë këtë Projektligj në
Kuvend për miratim”, u shpreh Cakolli.

“Projektligji si i tillë adreson në masë të
madhe shumicën e rekomandimeve të shoqërisë civile dhe është në përputhje me
Komisionin e Venecias, por që ende ka shumë çështje që nuk janë përfshirë”, tha
ai, teksa shtoi se kanë kërkuar që të rregullohet edhe çështja fushatës online
dhe financimin individual të kandidatëve të cilët nuk janë të rregulluar me
ligj.

Ndërsa politologu, Fidan Ukaj, thotë se
miratimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike, është njëra ndër
punët më të mira të këtij sesioni pranveror. Krahas miratimit të këtij
projektligji, Ukaj punë të mirë e konsideron edhe kalimin e rregullores së re
të Kuvendit. 

“Është një lajm i mirë pas 12 vitesh kalon
rregullorja në Kuvendin e Kosovës e cila ka pësuar disa ndryshime që mendoj që
janë ndryshime pozitive. Në rregulloren e re tanimë kemi një element shumë të
rëndësishëm nëse me rregulloren e vjetër është mbajt mbledhja e parë nga i pari
i shtetit tanimë kur kalon periudha kohore një mujore deputetët mund të
mblidhen vet dhe të bëjnë betimin. Ka edhe ndryshime të tjera ju për shembull pjesa
e imunitetit është larguar fare dhe pritet që të bëhet një ligj i ri dhe të
draftohet lidhur me imunitetin e deputetëve të Kosovës”, u shpreh Ukaj.

Teksa ka folur për këtë rregullore, Ukaj thotë
se është dashur të ketë edhe sanksione ndaj deputetëve të cilët mungojnë në
seanca.

“Ka qenë një problem shumë i madh. Në të kaluarën shumë deputet të cilët vetëm kanë hyrë e janë nënshkruar dhe janë larguar. Kemi pa  dështime qoftë të kalimit të ligjit apo edhe të krijimit të kuorumit brenda seancave për shkak se ata nuk e kanë parë edhe si prioritet për shkak se ata janë të obliguar të jenë. Sanksionimi i mospjesëmarrjes në Kuvendin e Kosovës është diçka e mirëseardhur dhe duhet të jetë obligative”, u shpreh Ukaj.

You may also like