Profesori i fizikës e rrëzoi nga provimi, Gjermania i dha shumë diploma

by admin
Spread the love

Periudhën e shovinizmit dhe nacionalizmit jugosllav, shumica e të rinjve e përjetuan shumë rëndë, buke u ballafaquar me lloj-lloj peripecish, keqtrajtimesh e torturash të ndryshme. Njërën nga këto katrahura e përjetoi edhe Avni Emini nga Shkupi. Pasi në vitin 1981 mbaroi shkollën e mesme në Gjimnazin “Zef Lush Marku” të Shkupit, Avniu regjistrohet në Akademinë Pedaogjike në kryeqytet, për t`iu përkushtuar shkencave natyrore, më konkretisht u përcaktua që të studiojë grupin e fizikës dhe matematikës.

Ishte tepër i zgjuar në këto dy drejtime dhe përplot ambicie që të ngjitet pidesetalit më të lartë të arsimit. Të gjitha provimet i kalonte pa ndonjë pengesë të madhe dhe me nota të mira. Bile u ndihmonte edhe të tjerëve që kishin probleme në ndonjë nga provimet. Mirëpo, kur profesori të merr në sy të keq për shkak të ndoshta pamjes fizike apo ndonjë arsye që vetëm ai mund ta dijë, gjithëka fillon të shkojë teposhtë. Profesori i fizikës me inicialet Xh.I. i kishte thënë se asnjëhere nuk do të mund ta kalonte provimin tek ai. I kishin ngelur vetëm edhe dy provime për të diplomuar, por profesori nuk lëshonte pe. Kjo gjë ia ndryshoi mendjen djaloshit të ri dhe ai ngriti duart lart dhe vendosi që fatin ta kërkojë në Gjermani.
Pas shumë vuajtjesh e peripecish të ndryshme, më në fund ai vendoset në Hamburg dhe aty filloi një jetë e re për të. Pas disa vitesh, në vitin 1987, ai themeloi një kompani në të cilën periodikisht ishin të punësuar edhe mbi 70 punëtorë, duke krijuar një imazh të mirë te popullata gjermane. Kompania funksiononte për mrekulli, duke arritur një qarkullim vjetor prej mbi gjashtë milionë eurosh. Shumë shpejt, në vitin 1995 kurorëzohet me bashkëshorten Shqipen gjithashtu nga Shkupi, duke krijuar një familje të lumtur me dy vajzat dhe djalin e tyre, ndërsa anëtare besnike e familjes është edhe qenushja simpatike Lira.

Ambiciet e familjes nuk u ndalën me kaq, pasi Shqipes nuk i pëlqente që të qëndronte duarkryq me punët e amvisërisë. Kështu, në vitin 2013, familja vendosi të hap edhe një restorant në afërsi, e që lagjes ku banojnë i lishte munguar më parë. E pagëzuan me emrin “Cafe Irma” dhe ai fitoi një reputacion të lartë te banorët në afërsi. Përqëndrimi i tyre ishte që klientët të jenë të kënaqur me kualitetin e konsumit, përderisa mysafirët e rregullt po shtoheshin gjithnjë e më tepër.

Natyrisht se periudha e krizës së koronavirusit ndikoi në masë të madhe në bllokimin e punës së lokalit, por tani ai sërish është rimëkëmbur dhe është duke funksionuar me intensitet të plotë. Ekipi prej 13 të punësuarve, mezi u jep hall kërkesave të shumta të mysafirëve.
Këto ditë, Avniu me Shqipen po qëndrojnë për vizitë në Zvicër, të magjepsur nga peisazhi zviceran. “Do ta falënderoja profesorin që nuk ma dha provimin dhe do t`i dërgoja porosi se në Gjermani kam diplomuar në çdo fushë të jetës, sidomos të asaj njerëzores”, shprehet Avniu enkas për portalin Shtegu.

Angazhimet e shumta të çiftit bashkëshortor kanë ndikuar që pushimeve t`u jepet një prioritet i madh. Në këtë mënyrë, ata shumë shpesh bëjnë shëtitje nëpër Europë me automjetin e tyre në formë të kampshtëpizës.

 

You may also like