“Procesi i Berlinit” apo “Ballkani i Hapur” – cila është rruga që duhet ta ndjekë Kosova – Shqip

by admin
Spread the love

Nisma “Ballkani i Hapur”, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut që u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019, nuk po gjen edhe përkrahjen e Kosovës, Malit të Zi e Bosnje e Hercegovinës që në vazhdimësi refuzojnë përfshirjen.

Kjo iniciativë, që fillimisht u quajt “Mini-Schengen”, parasheh lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve mes shteteve ballkanike.

Por krejt ndryshe është iniciativa “Procesi i Berlinit”, e iniciuar dhe e udhëhequr nga Gjermania, që për mandat ka lehtësimin e bashkëpunimit rajonal mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe që të njëjtave t’iu mundësohet integrimi në Bashkimin Evropian.

“Procesi i Berlinit” synon të bëjë më të lehtë lidhjen mes gjashtë shteteve në fushat e transportit, energjisë teksa që nga nisja e iniciativës së ish-kancelares Angela Merkel në vitin 2014, kjo iniciativë u zgjerua edhe në shkëmbime rinore dhe marrëdhënie ekonomike.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në maj të këtij viti deklaroi se “Procesi i Berlinit” vlerësohet shumë nga shtetet e Ballkanit dhe për këtë vazhdon përkrahja e këtij procesi dhe se ka interes personalisht që këtë nismë ta bëjë të mundur.

“‘Procesi i Berlinit’ vlerësohet shumë nga shtetet e Ballkanit dhe ato marrin pjesë me dëshirë në të. Në kontaktet me shtetet, gëzohen që Kancelari i Gjermanisë e vazhdon këtë traditë”.

“Në gjysmën e dytë të vitit pritet ta bëjmë këtë dhe së shpejti do të shkoj në rajon dhe do të kemi një bazë të mirë që bashkëpunimi atje të funksionojë dhe të kemi rezultate të mira. Kemi interes të madh që unë ta bëj këtë dhe unë do ta bëj këtë”, pati thënë kancelari Scholz.

Ndërsa Merkeli gjatë turit lamtumirës në vitin e kaluar në Tiranë, deklaroi se “Procesi i Berlinit” nuk mund të zëvendësohet me asnjë tjetër.

“‘Procesi i Berlinit’ është bërthama e gjithçkaje dhe në këtë kontekst nuk mund të zëvendësohet. Gjërat mund të përshpejtohen, Ballkani Perëndimor ka mësuar të bashkëpunojë me njëri-tjetrin jo vetëm të jetë ulur”, pati deklaruar Merkeli.

Ndërkaq, njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, vlerëson se Kosova nuk ka asnjë përfitim nga “Ballkani i Hapur” veçanërisht kur nismëtare e saj është edhe Serbia. Ai është i mendimit se rruga e sigurt që duhet të ndjek vendi është “Procesi i Berlinit”.

“Sa i përket ‘Ballkanit të Hapur’ nuk do të ndalesha gjatë në të pasi nuk e mbështes si iniciativë dhe pasi nuk mendoj që ka përfitime Kosova. Si iniciativë nuk ka rrugë shumë të qartë për Kosovën pasi objektivat e saj nuk janë të qarta dhe mendoj që nuk është rrugë e qartë që Kosova ta ndjek”.

“Në këtë lloj formati, pasi ende nuk është zyrtarizuar si diçka tjetër, Kosova është e varur që nuk është e barabartë me nismëtarët e këtij formati, pasi Kosova ngec në shumë aspekte me shtetet pjesëmarrëse si politikisht ashtu edhe ekonomikisht e këto e bëjnë që të mos jetë e barabartë me shtetet tjera”, shprehet Ujkani për Klankosova.tv.

Ndërkaq, për “Procesin e Berlinit”, thotë se Kosova e ka të qartë pozicionin në të, pasi aty përkrahet i tërë rajoni për t’u anëtarësuar në BE.

“Ndërsa ‘Procesi i Berlinit’ ka një rrugë më të detajuar dhe ka objektiva shumë më të qarta të cilat Kosovën dhe rajonin e shohin brenda Bashkimit Evropian dhe BE-ja e ka të qartë rrugën organizative, politike e ekonomike”.

“Tek ‘Ballkani i Hapur’, ku bën pjesë edhe Serbia që është një vend që nuk e njeh Kosovën, kjo që do të pamundësonte funksionimin në shumë aspekte, teksa tek ‘Procesi i Berlinit’ të dy palët shihen si të barabarta në rrugën e tyre evropiane”, tha Ujkani për Klankosova.tv.

Ai është i mendimit se orientimi i Kosovës kah “Procesi i Berlinit” në gjendjen dhe statusin aktual, është më i drejtë se cilado nismë që synon ta zëvendësojë këtë nismë.

Profesori i integrimeve evropiane vlerëson se Kosova fiton politikisht dhe ekonomikisht nga iniciativa gjermane, teksa synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ujkani potencon se në nismën “Ballkani i Hapur”, shtetet e zhvilluara përfitojnë në kurriz të shteteve të varfra si Kosova, teksa tek nisma gjermane, Kosova trajtohet e barabartë si të gjitha shtetet tjera.

“‘Procesi i Berlinit’ nën ombrellën e Bashkimit Evropian është rruga e duhur pasi BE-ja ka edhe pako financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë këtu edhe Kosovën që përfiton 70 milionë euro në vit, teksa tek ‘Ballkani i Hapur’ një mundësi e tillë nuk ekziston fare”.

“Prandaj e them se rruga për integrim në tregun e Bashkimit Evropian logjikshëm është më e mirë sesa integrimi në tregun e vendeve të rajonit. Por, e gjitha kjo nuk është vetëm çështje shifrash veçse interesimi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për integrim në BE do të sillnin shumë më shumë përfitime krahasuar me nismat rajonale”, mendon Ujkani.

Për dallim prej tij, njohësi i integrimeve evropiane, Bekim Çollaku, për Klankosova.tv thotë se Kosova duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i ka para vetës që t’i shërbejë agjendës së saj të integrimit rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.

“Nuk besoj se çështjeve të bashkëpunimit rajonal duhet t’i qasemi në mënyrë të ngurtë dhe paragjykuese. Proceset e ndryshme nuk është e thënë se janë kundërthënëse apo kontradiktore njëra me tjetrën. Pritjet e qytetareve ndaj institucioneve janë që ato të gjejnë vetëbesimin në përfaqësim të interesave shtetërore në mënyrë proaktive”.

“Institucionet shtetërore duhet të jenë të prira për realizimin e objektivave tona strategjike, dhe jo për demonstrim të populizmit shkurtpamës në shërbim të përmbushjes së egove personale”, tha Çollaku.

Mes tjerash, ai thotë se si në “Ballkanin e Hapur” ashtu edhe tek “Procesi i Berlinit”, Kosova nuk duhet ta lë ulësen vakante teksa për këtë pjesë, ish-ministri i Integrimeve Evropiane ka akuza edhe ndaj qeverisë.

“Ekziston një tendencë për të thjeshtëzuar deri në pakuptimësi gjërat si pjesëmarrjen në forume të ndryshme rajonale apo më gjerë. Nuk është medoemos e thënë që njëra e pamundëson tjetrën. Pjesëmarrja apo jo duhet të artikulohet qartë në raport me interesat e vendit, duke përfshirë përfitimet dhe rreziqet nga një pjesëmarrje e tillë. Por, mbase për një pjesëmarrje kuptimplotë parakusht është vetëbesimi dhe guximi i institucioneve për ta përfaqësuar vendin dhe për tu përballur me aktet tjera. Por, duket qartë që kjo qeveri po dëshmon mungesë të theksuar të vizonit dhe guximit. Kudo që Kosova trajtohet si shtet dhe e barabartë, ne nuk guxojmë që ulësen tonë ta lemë vakante”, shtoi ai.

Sipas Çollakut, Kosova është vonuar në përfshirjen në këto iniciativa, herë pa faj e herë me faj të vetin, prandaj thotë se nëse bëhesh pjesë e tyre me vonesë, duhet të pranosh kushtet e tyre.

“Ne ende vuajmë pasojat nga mospërfshirja në mekanizma të ndryshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë nga koha kur Kosova e ka pasur të pamundur për ta përfaqësuar veten. Kjo ka lejuar zhvillimin e këtyre mekanizmave në drejtime që Kosova nuk ka mundur t’i ndikojë apo drejtojë në asnjë mënyrë. Pra kur bëhesh pjesë e këtyre mekanizmave me vonesë, atëherë je i detyruar t’i pranosh ashtu siç janë. Si parim, ne nuk duhet ta përjashtojmë vetveten nga këto iniciativa rajonale, sidomos duke e marre parasysh edhe inkurajimin nga aleatët tanë ndërkombëtar”.

“Kosova kurrë nuk rrezikon të humbasë nga përfaqësimi dhe përfshirja, por rrezikon të humbasë nga izolimi”, u shpreh Çollaku.

“Procesin e Berlinit” e kanë mbështetur edhe krerët aktualë shtetërorë të Kosovës, por edhe të kaluarit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se për dallim nga “Procesi i Berlinit”, të cilin e vlerëson të duhur, “Ballkanin e Hapur” e quan si iniciativë shumë të rrezikshme.

Të njëjtin qëndrim e ndan edhe kryeministri Albin Kurti i cili vazhdon ta kundërshtojë “Ballkanin e Hapur” teksa konsideron se “Procesi i Berlinit” është i nevojshëm për integrim në BE.

Edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, në Samitin për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Prishtinë ditë me parë, iniciativën “Ballkani i Hapur” e konsideroi si të rrezikshme, jo veç për rajonin por për tërë Evropën.

You may also like