Prishtina kërkon fitoren e pestë në BIBL

by admin
Spread the love

Sigal Prishtina synon fitoren e radhës në Ligën Ballkanike pasi drejt Qipros ka udhëtuar maksimalisht e motivuar.

Prishtina, sot prej orës 18:00 përballet me skuadrën e AEL-it, ndërsa dy ditë më parë e mposhti kampionen e Kosovës, Pejën në kuadër të kampionatit.

Kjo fitore për Prishtinën ishte e nevojshme dhe erdhi pas një serie prej katër humbjeve në pesë ndeshjet e fundit. Në Ligën Ballkanike, Prishtina ka katër fitore karshi dy disfatave dhe ndaj ekipit qipriot kërkon triumfin e radhës.

Prishtina është e katërta në tabelë me 10 pikë, dy më pak se AEL-i që është lider por ka pikë të njëjta me Pejën e Lovqenin. Në duelin e parë mes Prishtinës dhe AEL-it, të zhvilluar në fillim të muajit të shkuar në kryeqytet, skuadra kosovare triumfoi me shifrat 86:71.

Për Prishtinën, kjo është ndeshja e fundit në stinorin e rregullt të BIBL-it, ndërsa AEL-i do ta luaj edhe një ndeshje tjetër, përpara se të startoj “Final Fouri” i kësaj gare.

Megjithatë, Prishtina nuk do ta ketë aspak lehtë në Qipro për faktin se AEL-i asnjë ndeshje nuk e ka humbur në shtëpi në kuadër të stinorit të rregullt.

Këtë edicion, në Ligën Ballkanike po paraqiten vetëm pesë skuadra ku katër prej tyre do të avancojnë në “Final Four” dhe do të luftojnë për titullin e kampionit.

You may also like