Prishtina fiton dramën ndaj Besëlidhjes

by admin
Spread the love

Sigal Prishtina me mund të madh është kualifikuar në gjysmëfinale të “Final 8” të Ligës Unike.

Të enjten mbrëma në Vlorë, Prishtina triumfoi ndaj Besëlidhjes me rezultatin e ngushtë 80:79.

Në fakt, Prishtina fitoren e siguroi në fund të takimit kur Donte Clark shënoi për tre pikë për rezultatin 80:78 kur kishin mbetur vetëm edhe pesë sekonda lojë. Në aksionin e fundit, Besëlidhja fitoi dy gjuajtje të lira prej të cilës realizoi vetëm njërën, ndërsa njëri prej lojtarëve të ekipit nga Shqipëria nuk doli I saktë në tentimin e fundit.

Kjo fitore e Prishtinës erdhi me mund të madh pasi vetëm në fund të takimit doli në epërsi ndaj Besëlidhjes.

Ekipi nga Shqipëria gjatë tërë kohën ka qenë në avantazh pasi çerekun e parë e mbylli me shifrat 28:9. Në fillim të çerekut të dytë, Besëlidhja kishte epërsi prej 22 pikëve (35:13) por që nuk arriti ta mbajë deri në fund. Prishtina e fitoi këtë çerek si dhe dy periudhat e fundit për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Donte Clark ishte më efikasi te Prishtina me 23 pikë të shënuara, 6 kërcime e 4 asistime, ndërsa me lojë të mirë u veçua edhe Diamond Stone (26 pikë).

Te Besëlidhja u dallua Julian Hamati që regjistroi “double-double” prej 24 pikëve e 17 kërcimeve.

Në serinë gjysmëfinale të këtij turne, do të përballen të gjitha skuadrat nga Kosova ndërmjet veti pasi i eliminuan ato të Shqipërisë në çerekfinale.

Në gjysmëfinale, Prishtina do të përballet me Trepçën, ndërsa në duelin tjetër do të luajnë Ylli me Pejën.

Gjysmëfinalet e Ligës Unike zhvillohen të premten, njëra prej orës 16:00 dhe tjetra në orën 19:00.

You may also like