prindër sirianë, përgjërim autoriteteve t’ua kthejnë fëmijët – Shqip

by admin
Spread the love

Marrja e fëmijëve të një çifti refugjatësh sirianë nga autoritetet suedeze ka ndezur një fushatë në rrjetet sociale për të ribashkuar familjen pas vitesh ndarje.

Diab Talal dhe gruaja e tij Amal Sheikho u zhvendosën në qarkun Norrbotten në Suedinë veriore në fillim të vitit 2017 si pjesë e programit të Kombeve të Bashkuara për rivendosjen e refugjatëve sirianë. 

Në një  intervistë në fillim të këtij muaji në Qendrën Suedeze për Informacion, një platformë burimore mbi imigracionin dhe azilin në vendin skandinav, Talal tha se ai dhe gruaja e tij ranë në depresion në muajt e parë të zhvendosjes së tyre. 

Ai shpjegoi se ata nuk mund të flisnin gjuhën vendase dhe gjithashtu po luftonin me temperaturat nën zero në qarkun më verior të Suedisë. 

Rreth asaj kohe, tha Talal, një fqinj raportoi gruan e tij te shërbimet sociale suedeze, të njohura thjesht si “Sociale”, pasi e pa atë duke qarë në një dhomë të përbashkët lavanderi. 

Katër fëmijët e tyre, të moshës nga tre deri në nëntë, u morën më pas nga Shërbimet Sociale, pasi vajza e tyre shtatë vjeçare Duha tha se e kishin rrahur. 

Talal tha se gjatë procedurave ligjore që pasuan, policia nuk mundi të provonte ndonjë dhunë të drejtuar ndaj fëmijëve. 

“Në bazë të asaj që ndodhi, fëmijët iu dorëzuan përkujdesjes së disa familjeve suedeze dhe që nga ajo ditë më shumë se tre vjet më parë, neve na është ndaluar t’i shohim fëmijët”, tha babai 38-vjeçar. 

Ai shtoi se tre vjet pasi u morën fëmijët e tij, një fëmijë i pestë u hoq nga kujdesi i tyre vetëm “pesë minuta” pasi lindi. Mamasë iu mohua mundësia ta ushqente fëmijën e saj me gji. 

“Unë dua fëmijët e mij”

Rasti ka ngjallur reagime të forta në mediat sociale. Disa përdorues u kanë bërë thirrje autoriteteve suedeze që të bashkojnë familjen. 

Një video emocionale e çiftit që mbron çështjen e tyre në kushte dëbore jashtë shtëpisë së tyre u shpërnda gjerësisht javën e kaluar. 

Përkthim: Një familje siriane iku nga lufta në Suedi në kërkim të sigurisë, dhe tetë muaj pas mbërritjes së tyre, autoritetet rrëmbyen katër fëmijët e tyre dhe nuk i lejuan t’i shihnin deri më tani, përveçse përmes fotove elektronike! Vite më vonë, nëna lindi një fëmijë tjetër. Edhe atë e rrëmbyen nga spitali pesë minuta pas lindjes! Çfarë është ky imoralitet dhe kriminalitet?

“Më thanë se do të më çonin në një vend paqeje, por ku? Kjo është ndërtesa ku më morën fëmijët e mij”, thotë Talal në video. 

“I bëj thirrje njerëzve, botës, e çdo vendi arab: – dua fëmijët e mij. O Zot, kushdo që më dëgjon, dua fëmijët e mij”, shton Sheikho.

“Ata e morën fëmijën tim nga spitali vetëm pesë minuta pasi lindi. I lutem të gjithëve, jam nënë e pesë fëmijëve, imagjinoni si ndihem.”

Llogaria zyrtare e Suedisë në gjuhën arabe iu përgjigj videos që u bë virale. 

“Të gjithë fëmijët në Suedi kanë të drejtën të kenë një fëmijëri të sigurt. Shteti nuk do që një fëmijë të ndahet nga familja. Kjo ndodh nëse bëhet e qartë dhe vërtetohet se ka rrezik për fëmijën”, shkruhej në Twitter.

“Vendimi përfundimtar për fëmijët nuk është në dorën e shërbimeve sociale, por në dorën e gjyqësorit. Kjo nuk do të thotë ndërprerje e kontaktit me prindërit pasi ka raste që fëmijët kthehen në familje”. 

Llogaria shtoi se njerëzit mund të kenë parë vetëm njërën anë të medaljes dhe se megjithëse nuk ishte e mundur të komentohej për rastet individuale, “fokusi kryesor është që fëmija të mos i nënshtrohet dëmtimit fizik ose psikologjik”. 

Disa përdorues të zemëruar të mediave sociale postuan hashtagun “Suedia është një shtet fashist” në arabisht dhe anglisht për të theksuar rastin. 

Sipas agjencisë së migracionit në vend, rreth 150,000 refugjatë sirianë kanë marrë leje qëndrimi dhe pune në Suedi që nga viti 2015. 

Prej tyre, 27,000 morën shtetësinë në vitin 2021 sipas ligjeve suedeze që u japin mundësinë migrantët të natyralizohen pas pesë vjetësh. 

Çështja e autoriteteve suedeze që marrin fëmijët nga familjet siriane u ngrit më parë në një raport të vitit 2019 nga Gazetaria Hulumtuese Siriane për Gazetari të Përgjegjshme (SIRAJ). 

Grupi foli me prindër sirianë të përfshirë në beteja të gjata ligjore në 12 raste të tilla në pesë qytete në Suedi. /tesheshi.com/

You may also like